GJK pezulloi zgjedhjet e Tiranës, zbardhet mesazhi drejtuar strukturave të PS

Partia Socialiste duket se nuk do tërhiqet nga zgjedhjet e 9 Nëntorit, edhe pse Gjykata Kushtetuese vendosi sot pezullimin e dekretit të Presdientit Bajram Begaj lidhur me zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës, pas shkarkimit të Erion Veliajt.

Në një mesazh të shpërndarë në strukturat e PS në Tiranë thuhet se vendimi i sotëm nuk prek zgjedhjet e 9 Nëntorit. Ndërkohë vendimi përfundimtar do të jepet më 31 Tetor.

“Sikurse u theksua edhe mbrëmë, vendimi i sotëm nuk i prek zgjedhjet e 9 nëntorit. Vendimi përfundimtar i Gjykatës do të jepet më 31 tetor,” thuhet në mesazhin e shpërndarë në degët e PS në Tiranë.

Kujtojmë se gjatë ditës së sotme, Gjykata Kushtetuese pezulloi dekretin e Presidentit Bajram Begaj për zgjedhjet e parakohshme në Bashkinë e Tiranës.

Presidenti Begaj dekretoi datën 9 Nëntor për zgjedhje në 6 Bashki të vendit, përfshirë kryeqytetin, pas kërkesës nga Këshilli i Ministrave.

Por më herët kryebashkiaku i shkarkuar, Erion Veliaj, kishte ankimuar vendimin e shkarkimit të tij në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa më pas kërkoi edhe pezullimin e dekretit të Begajt.