Një kafkë e dekompozuar e futur në një qese plastike është gjetur ditën e sotme pranë varrezave të Burdulliasit në Berat. Kafka që i përket një gruaje është gjetur nga punëtorët e varrezave, por ende nuk dihet identiteti i saj.
Policia bën me dije se eshtrat e gjetura do të dërgohen në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ku do t’i nënshtrohen ekzaminimeve për të identiikuar se kujt i përket. Sipas Policisë, nuk kemi të bëjmë me një ngjarje kriminale.
“Në varrezat e qytetit, punonjësit e varrezave të bashkisë, gjatë pastrimit anës rrugës hyrëse për në varreza, kanë gjetur një qese plastmasi transparente, të vjetër, brenda së cilës gjendeshin mbetje kockore humane.
Mbetjet kockore do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore, për ekzaminime të mëtejshme. Është krijuar grupi hetimor, janë plotësuar formularët për ekzaminimin e mbetjeve kockore në Institutin e Policisë Shkencore, dhe vijon puna për dokumentimin e plotë të këtij rasti.
Nga veprimet e para hetimore rezulton se nuk kemi të bëjmë me ngjarje kriminale”, thuhet në njoftimin e policisë.