Gerian Kuka pjesë e dosjes së SPAK për Arben Ahmetaj, qeveria i jep firmës së tij 10 mijë m2 tokë për hotelin 18 milion euro në Korçë

Elton Qyno

Qeveria e kryeministrit Edi Rama, i ka ndezur dritën jeshile ndërtimit të një projekti ambicioz me vlerë 18 milion euro, për ndërtimin e një hoteli alpin në qytetin e Korçës.

Mes tre emrave përfitues të këtij projekti është dhe Gerian Kuka, biznesmeni i përfshirë në disa makinacione me pasuritë të identifikuara nga SPAK, që janë përfituar më pas nga ish-zv/kryeministri i shpallur në kërkim, Arben Ahmetaj.

Gerian Kuka, rezulton të jenë në dosjen voluminoze të SPAK dhe është bërë pjesë e lupës verifikuese të dy prokurorëve Altin Dumani dhe Enkelejda Millonai.

Por pavarësisht se emri i tij është përfshirë në skama të dyshimta me Arben Ahmetaj, në muajin Shkurt 2023, kryeministri Edi Rama, ka miratuar një projekt 18 milion euro, ku fitues me 30 për qind të aksioneve është Gerian Kuka.

Ndërsa pjesa tjetër e 40 për qind të aksioneve të investimit zotërohet nga Agim Zeqo i njohur si “Gimi i Red Bullit” dhe 30 për qind të tjera nga Ilir Shtufi.

Leja është marë në kuadër të investimit strategjik nga kompania e themeluar në 3 Maj 2019 e quajtur “INVESTMENT and DEVELOPMENT ALBANIA” ose shkurt “IDA”.

Dokumenti i firmosur nga Edi Rama, Belinda Balluku, Delina Ibrahimaj, Mirela Kumbaro, Frida Krifca, Odise Moçka dhe Sekretariati Teknik, Sokol Nano, i jep 10 mijë metër katror në Korçë kompanisë “IDA” për ndërtimin e resortit me 5 yje “Green House Korça Resort”.

Sipas dokumentit investimi, synon ndërtimin strukturë turistike elitare që do të ketë në përbërje një hotel me 5 yje, me kapacitet total prej 94 dhomash, restorante, bare, SPA etj.