Gazment Bardhi flet pas mbledhjes së Grupit Parlamentar: Opozita është bashkë! Mazhoranca po na detyron të shkojmë drejt akteve ekstreme

Ditën e sotme grupi parlamentar i Partisë Demokratike zhvilloi mbledhjen e radhës në Kryesinë e Kuvendit. Pas mbledhjes foli për mediat kryetari i grupit Gazment Bardhi, i cili u shpreh se opozita është e bashkuar dhe nuk do të tërhiqet nga aksioni i saj.

Sipas tij, mazhoranca duhet të tërhiqet nga shkelja e ligjit, pasi po e detyron opozitën të shkojë drejt akteve ekstreme, siç është greva e urisë.

“Sot kemi diskutuar mbi situatën jo normale ku është përfshirë Kuvendi për shkak të sjelljes antikushtetuese të mazhorancës. Jemi të vendosur për të vijuar aksionin demokrati brenda Kuvendit për t’i pamundësuar punën normale mazhorancës. Mazhoranca duhet të tërhiqet nga shkelja e ligjit. Nuk kërkojmë favore prej tyre, por respektim të kushtetutës. Po na nxisin të shkojmë drejt akteve ekstreme. Opozita tashmë është bashkë”, tha Bardhi.