Gazetari denoncon mungesën e 6 medikamenteve te Onkologjiku: Lemeri! Po luhet me jetën e pacientëve

Disa ilaçe jetike për të sëmurët me kancer mungojnë prej kohësh në spitalin Onkologjik. Alarmin e ka dhënë gazetari Osman Stafa, i cili ka përmendur 6 ilaçe, që mungojnë, mes tyre Phesgo, për të gjitha gratë me kancer të gjirit.

Në mungesë të tij, mjekët kanë kërkuar që të kalohet në një linjë tjetër trajtimi, por një nuk e njeh asnjë protokoll. Kjo ndodh vetëm në rastet nëse ai medikament nuk jep efektet, dhe mund të kalohet në një tjetër medikament.

Por Phesgo nuk është i vetëm ilaç që mungon. Gazetari përmendi edhe Cetuximab, Abirateron, Erlotinib, Irinotecan, Acidi Folinic, që përdoren për të sëmurët që luftojnë çdo ditë për jetën.

“Gjithashtu një tjetër medikament që mungon është ai që trajton kancerin e zorrës së trashë, kancerin e stomakut, por edhe të mushkërisë në raste të caktuara”- u shpreh gazetari, Osman Stafa.

Ai nënvizon se këto medikamente mungojnë prej 2 muajsh te Onkologjiku, duke vënë në rrezik jetën e pacientëve.