Gazetari: Adriatik Lapaj po mbledh gjithë ish LSI-në! E kishte ëndërr të shkrinte Nismën Thurje

Gazetari Ardit Rada ka komentuar largimet e fundit nga Nisma Thurje, pas asaj që ndodhi mes Endri Shabanit dhe Adriatik Lapajt.

Sipas tij, largimet kanë qenë të koordinuara nga një person i vetëm, për shkak se këta anëtarë i kanë komunikuar vendimet nëpërmjet rrjeteve sociale dhe jo duke folur në forume apo kryesi.

Për sa i përket postimeve të tyre, ku secili thotë se i vjen turp nga ajo që ka ndodhur, Rada ngre pyetjen se përse atyre nuk u erdhi turp kur Adriatik Lapaj thoshte se do merrte 71 mandate apo kur nuk bajti premtimin se do ia jepte mandatin të dytit më të votuar.

Rada shprehet se shkrirja e Nismës Thurje ishte një ëndërr e Adriatik Lapajt dhe tani po bëhet realitet nga këta njerëz, që sipas tij janë ish-individë të LSI-së që tashmë po i bashkohen Lapajt dhe ky i fundit po i pret me krahë hapur.

“Sigurisht që ka një koordinim nga një dorë, për aq kohë sa dy këshilltarët e Korçës dhe Mirditës çuditërisht deklarojnë largimin nga ‘Thurja’ brenda gjysmë ore në të njëjtën ditë. Partitë funksionojnë me forume, jo me Facebook. Unë nuk di që ndonjëri nga këta të larguar të ketë kërkuar të flasë në Kryesi për qëndrimin që do të mbanin përballë koalicionit.

Më parë ka qenë një ish-eksponent i ‘Thurjes’, i cili, edhe pse prej vitesh jashtë funksionit dhe i larguar, del e deklaron se i vjen turp. E kam fjalën për Besjan Peshën, ish-zyrtar i LSI-së. Pastaj kemi një tjetër ish-zyrtar të LSI-së, si Laska, që mori flamurin e akuzave të kota. Më pas ndodhi dhe largimi i Pano Sokos, të cilin nuk e kuptoj pse duhej të ndodhte në atë mënyrë.

Unë mendoj se partitë kanë forume dhe struktura. Dalin këta të pestë dhe thonë ‘na vjen turp’. Po pse s’u erdhi turp kur bënë koalicion me një delirant që thoshte ‘do marr 71 mandate’? Ku ishin ata kur s’u vinte turp që Lapaj thoshte se do ia jepte mandatin të dytit? Çfarë ka për turp këtu, që partia e tyre po kërkon të përfitojë sa më shumë nga rezultati zgjedhor dhe fushata?

Prandaj them se këtu ka një dorë që i ka futur në qorrsokak. Të gjitha këto tregojnë se personat në fjalë nuk kanë punuar asnjë ditë me sinqeritet për partinë e tyre dhe se sot po realizojnë ëndrrën e Lapajt: ta shkrijnë ‘Thurjen’. Në thelb kemi disa individë të LSI-së që po i bashkohen Adriatik Lapajt. dhe me sa duket, ky i fundit i mirëpret me kënaqësi njerëzit e Ilir Metës”, tha Rada në Abc Neës.