Kur gjigantët më të mëdhenj të inteligjencës artificiale në Kinë u mblodhën në Pekin në janar për një takim historik, një pyetje dominoi diskutimin: Cilat janë gjasat që një kompani kineze e AI-së të tejkalojë rivalët amerikanë brenda tre deri në pesë viteve të ardhshme?
Përgjigjja nga një prej shkencëtarëve kryesorë të pranishëm ishte befasuese për nga sinqeriteti. “Nën 20%,” tha Justin Lin, drejtues teknik i modeleve Qwen të gjigantit teknologjik Alibaba. “Dhe mendoj se edhe 20% është tepër optimiste.”
Ky vlerësim i zymtë bie në kontrast të fortë me titujt e një viti të tërë që kanë festuar “bumin” e AI-së në Kinë.
Pasi startup-i pak i njohur DeepSeek tronditi botën me një model të fuqishëm AI, që pretendonte se ishte ndërtuar me një kosto shumë më të ulët se ekuivalentët amerikanë, kompanitë kineze kryesuan renditjet globale të shkarkimeve për modelet falas dhe siguruan financime të mëdha në debutimet e tyre në bursë.
Megjithatë, përtej entuziazmit, disa zhvillues kryesorë kinezë paralajmërojnë se vendi mund të ketë mbetur edhe më pas në zhvillimin e modeleve të avancuara. Ekspertët theksojnë aksesin e kufizuar në çipa të teknologjisë së lartë dhe mungesën e kapitalit si pengesa të vazhdueshme.
Lin nuk ishte i vetëm në këtë vlerësim. Tang Jie, themelues i startup-it të njohur Z.ai (i njohur edhe si Zhipu), deklaroi se hendeku i performancës mes modeleve kineze dhe atyre amerikane “mund të jetë duke u zgjeruar”.
“Në disa fusha mund të jemi duke performuar mirë, por duhet të pranojmë edhe sfidat dhe boshllëqet që kemi ende,” u shpreh ai në të njëjtin takim në Pekin.
Megjithatë, kjo nuk do të thotë se industria kineze e AI-së është në stagnim.
Një strategji ndryshe nga SHBA
Kufizimet në aksesin ndaj çipave me performancë të lartë dhe kapitalit, si dhe ekosistemi unik teknologjik i Kinës, kanë nxitur një strategji të ndryshme nga ajo amerikane: hapjen e modeleve për përdorim publik, pra “open source”.
Kjo strategji, që Pekini dhe zhvilluesit e shohin si një mënyrë për të përshpejtuar përparimin dhe për të konkurruar me SHBA-në, ka ndihmuar kompanitë kineze të bëjnë hapa të rëndësishëm. Ato po lançojnë me ritëm aplikacione të bazuara në AI për përdorim real, ndërsa industri të tëra po e integrojnë teknologjinë në prodhim, tregtinë elektronike dhe robotikë.
Në fjalimin e Vitit të Ri, presidenti Xi Jinping përgëzoi rritjen e shpejtë të kapaciteteve inovative të vendit, duke përmendur modelet e AI-së që “po ecin me ritëm të shpejtë” dhe “përparimet” në prodhimin vendas të çipave, në kuadër të synimit për vetë-mjaftueshmëri teknologjike.
Qwen, për shembull, kaloi modelin Llama të Meta-s si modeli i hapur më i shkarkuar në platformën Hugging Face. Edhe kompani amerikane si Airbnb e kanë përdorur për shërbimin e klientit me AI.
Një valë e paprecedentë listimesh të kompanive kineze të AI-së në bursën e Hong Kongut ka ndodhur së fundmi. Në janar, Z.ai dhe MiniMax siguruan respektivisht 560 milionë dhe 620 milionë dollarë nga dalja në bursë.
Edhe gjigantët globalë po tregojnë interes. Në dhjetor, Meta njoftoi blerjen e Manus, një kompani AI e themeluar në Kinë dhe më pas e zhvendosur në Singapor — një sinjal i qartë i përparimeve teknologjike kineze.
Realiteti ekonomik dhe “karta” e hapjes
Një nga motorët kryesorë të vrullit të AI-së në Kinë është përqafimi agresiv i modeleve të hapura, i nxitur nga suksesi i DeepSeek.
Kjo qasje ka ulur ndjeshëm kostot për zhvilluesit dhe bizneset. Sipas analistëve, ofruesit e shërbimeve cloud si Alibaba përdorin modele të hapura për të nxitur përdorimin e platformave të tyre, ndërsa startup-et ndërtojnë shpejt komunitete zhvilluesish.
Megjithatë, ndërsa modelet kineze dominojnë hapësirën e “open source”, modelet e mbyllura amerikane si GPT i OpenAI, Gemini i Google dhe Claude i Anthropic vazhdojnë të kryesojnë në standardet e përgjithshme të performancës.
Pengesat që mbeten
Hendeku i performancës, edhe pse jo i madh, vazhdon kryesisht për shkak të kufizimeve në fuqi kompjuterike dhe kapital.
Kontrollet e eksportit nga SHBA kanë ndaluar kompanitë kineze të sigurojnë çipa të avancuar si Nvidia Blackwell dhe Rubin. Edhe prodhuesit vendas përballen me vështirësi në rritjen e prodhimit.
Ndërkohë, ndryshe nga startup-et amerikane që mund të mbledhin raunde të shumta financimi, kompanitë kineze përballen me presion për të dëshmuar shpejt qëndrueshmërinë financiare, duke i shtyrë drejt listimeve të hershme në bursë.
Sfidë shtesë është edhe tregu i brendshëm, i cili kërkon personalizim të lartë dhe e bën më të vështirë fitimin.
A mund ta kalojë Kina SHBA-në?
Ekspertët paralajmërojnë se Kina nuk duhet nënvlerësuar. Kompanitë kineze kanë treguar aftësi të jashtëzakonshme për të përvetësuar shpejt teknologjitë perëndimore dhe, në disa raste, për t’i përmirësuar ato.
Megjithatë, sipas disa zërave në industri, sfida më e madhe mund të jetë kulturore: mungesa e gatishmërisë për të marrë rreziqe të mëdha dhe për të krijuar paradigma të reja.
“A mund të udhëheqim në krijimin e paradigmave të reja? Ky është problemi kyç që Kina ende duhet të zgjidhë,” u shpreh një nga drejtuesit kryesorë të AI-së në vend.