Kandidatja për deputete e PS Blerina Gjylameti i ka bërë një kërkesë Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve këtë të hënë ku kërkon pamjet filmike të numërimit të votave në të gjithë Qarkun e Tiranës.
Në kërkesën drejtuar KQZ, Gjylameti thekson se “pamjet e kërkuara do të përdoren vetëm për qëllime verifikimi dhe brenda kuadrit ligjor, duke respektuar të gjitha procedurat e kërkuara nga kuadri ligjor në fuqi.
Blerina Gjylameti është në një garë të ngushtë me Olta Xhaçkën, ku kjo e fundit është rreth 100 vota para nga numërimet deri tani. “Lufta” mes Gjylametit dhe Xhaçkës bëhet për mandatin e shtatë nga lista e hapur në Tiranë.
“I nderuar zoti Celibashi! Unë kërkuesja, në cilësinë e kandidates për deputete në zonën zgjedhore Qarku Tiranë për zgjedhjet parlamentare të datës 11.05.2025, Ju drejtohem me këtë kërkesë për të më vënë në dispozicion pamjet filmike të procesit të numërimit të votave të subjekteve dhe kandidatëve në të gjithë qendrat e numërimit të Qarkut Tiranë.
Pamjet e kërkuara do të përdoren vetëm për qëllime verifikimi dhe brenda kuadrit ligjor, duke respektuar të gjitha procedurat e kërkuara nga kuadri ligjor në fuqi. Siguroj se i gjithë informacioni i vënë në dispozicion nga ana Juaj do trajtohet me përgjegjësi në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thuhet në kërkesën e Gjylametit.