Gara e pabarabartë e 11 majit: Si do të zgjidhen deputetët e rinj

Diku nga korriku i vitit 2001, zgjedhjet ishin mbajtur, por nuk kishin përfunduar. Një foto që me gjasa do të hyjë në histori, nëse dikush do të marrë mundimin të merret me studimin e historisë së zgjedhjeve, u shfaq në gazetat e kohës. Në foto, kryetari i atëhershëm i Partisë Socialiste, Fatos Nano, foli në një tribunë të improvizuar. Sipër kokës së tij, një tabelë e modelit të kohës së komunizmit shkruante “PTT Bubullimë”. Ishte kjo tabelë që dekonspironte vendndodhjen dhe llojin e katrahurës ligjore e zgjedhore që u diskutua gjatë.

Partia Socialiste i kishte varur shpresat në fitoren e një mandati qeverisës me tre të pestat e parlamentit në një skemë gjerësisht të kritikuar, në të cilën, në një nga zonat e Shqipërisë, zona me numër 60 dhe e njohur si Dushk, Lushnjë, ku bën pjesë edhe fshati Bubullimë, duhej të votonte në një mënyrë të tillë që të prodhonte plot 11 mandate deputetësh, 6 për qind të të gjitha mandateve, ndonëse zona në fjalë përbënte vetëm 1% të të gjithë votuesve në vend.

Gazetat në atë kohë i vunë një nofkë kësaj manovre duke e emërtuar atë “Sistemi i Dushkut”, një epitet për të përshkruar se si makinacionet e pacipa politike deformojnë vullnetin e votuesve duke i dhënë një partie të caktuar, më shumë pushtet nga sa qytetarët i kanë dhënë.

Në zgjedhjet e vitit 2001, Partia Socialiste mori 41 për qind të votave dhe 73 mandate, ose 52% të parlamentit.

U bë disa vite tashmë që panorama mediatike shqiptare nuk është më aq vibrante sa të krijojë emërtime të tilla për manipulimet politike, kështu që, sistemi aktual i krijuar vitin e kaluar nga një marrëveshje e re mes PD-së dhe PS-së me lista kandidatësh të mbyllura dhe të hapura nuk ka marrë ndonjë emërtim të tillë alegorik.

Megjithatë, gara e 11 majit pritet të jetë thellësisht e pabarabartë dhe e përqendruar mes anëtarëve të së njëjtës parti që përplasen për pak mandate brenda listës së hapur.

Garë e pabarabartë

Deputeti socialist, Erion Braçe deklaroi të dielën në një postim në median sociale se gara në të cilën ai merr pjesë është “e pabarabartë”. Ky në fakt është një konkluzion që, me gjasa, vjen me vonesë.

Në fakt, që nga viti 2008, kur Rama, në atë kohë, kryetar i opozitës dhe Berisha, në atë kohë kryeministër, ranë dakord për sistemin me lista të mbyllura, PD dhe PS kanë krijuar me forcën e votave të tyre një sistem zgjedhor thellësisht të pabarabartë me një garë të dominuar nga dy udhëheqësit politikë dhe me një forcë parlamentare gjithnjë e më besnike ndaj tyre.

Në vitin 2008, Berisha dhe Rama ndanë Shqipërinë në 12 qarqe dhe vendosën një prag në masën 5% për të shmangur rrezikun që partitë e vogla të mund të fitonin mandate në Qarkun Tiranë, qarku i vetëm i madh ku pragu 5% bënte sens, sepse në qarqet e tjera, numri i mandateve është aq i ulët sa, edhe nëse merr 5% të votave, pra kalon pragun, merr zero mandate.

Ky ishte sistemi me të cilin shqiptarët votuan në zgjedhjet e vitit 2009 e 2013, ndërsa në zgjedhjet e vitit 2017, tre partitë e mëdha të vendit konkurruan të ndara, ndërsa Rama fitoi mandatin e parë qeverisës me vetëm një parti që nga viti 1997.

Në vitin 2021, ndryshimet e njëanshme në Kodin Zgjedhor, të cilat Rama i bëri me votat e të ashtuquajturës opozitë e re, krijoi sistemin me lista të mbyllura, por me votë pëlqyese, një sistem në të cilin, qytetari zgjidhte një parti dhe pastaj i jepte një votë njërit prej kandidatëve të saj. Kjo votë pëlqyese nuk caktoi në mënyrë domethënëse se kush nga kandidatët do të shkonte në parlament, këtë e caktuan kryetarët përkatës, por shërbeu gjithsesi si një formë kontabilizimi i makinerisë elektorale të çdo kandidati.

Listat e hapura dhe të mbyllura

Në krahasim me listat e mbyllura të zgjedhjeve 2009, 2013 e 2017, si dhe të listave të mbyllura me votë pëlqyese të vitit 2021, sistemi elektoral i këtij viti ngjan se është edhe më ekstrem. Shqiptarët do të ftohen të votojnë një parti të caktuar, dhe një kandidat, por deputeti që do të dërgojnë në parlament do të jetë një tjetër, i cili nuk do të votohet por është “emërtuar”, teorikisht nga partia përkatëse por praktikisht nga kryetari takues.

Në fletën e votimit do të kenë një listë të dytë të kandidatëve, të cilët, në pjesën dërrmuese, nuk do të shkojnë në parlament. Kjo është një skemë që qartazi favorizon sërish dy kryetarët në dy gjëra; e para, që aftësia e tyre për të kontrolluar grupet parlamentare të jetë e plotë, dhe, e dyta, që makineritë elektorale të mbështetura në “korrupsion publik” apo klientelizmi politik të jenë në garë të plotë me njëra-tjetrën për të siguruar mandate elektorale shtesë dhe rrjedhimisht, shumicën e ardhshme parlamentare.

Fleta e votimit e miratuar nga KQZ do të ketë dy seksione, një seksion sipër ku do të gjenden emrat e kandidatëve të listave të mbyllura dhe një seksion tjetër, ku do të gjenden listat e kandidatëve në garën e hapur. Qytetari do të duhet të zgjedhë, fjala vjen, kandidatin nr. 37 në listën e partisë X, ndërsa vota e tij do të dërgojë në parlament, jo kandidatin e zgjedhur prej tij, por kandidatin e parë nga lista e mbyllur, të cilin e ka caktuar kryetari.

Në Tiranë, në listat e hapura ka 37 kandidatë për secilën parti, por, nëse Partia Socialiste përsërit suksesin e vitit 2021 dhe merr 18 mandate, pra më shumë se gjysmën, atëherë 12 mandate i cakton kryetari ndërsa të 37 kandidatët e tjerë konkurrojnë në praktikë për vetëm 6 vende.

Në radhët e opozitës, nëse rezultati nuk ndryshon dhe ajo fiton 17 mandate që mori PD dhe LSI kur garuan veçmas katër vjet më parë, atëherë 12 janë të caktuar nga Berisha, ndërsa 5 mandatet e mbetura janë në garë për t’u fituar nga 37 kandidatët e listës së hapur të kësaj partie. Me pak fjalë, pavarësisht se votuesit përkatës të PS-së apo PD-së mund të pëlqejnë njërin apo tjetrin kandidat, ata që shkojnë në parlament janë persona, emrat e të cilëve në listën e votimit nuk  i voton dot./BIRN