“Fustani i hakmarrjes” i Princeshë Dianës del në ankand për 300 mijë dollarë

Fustani ikonik i Princeshë Dianës, i njohur si “fustani i hakmarrjes”, do të dalë në ankand nga Sotheby’s më 9 dhjetor dhe pritet të shitet për deri në 220 mijë paund (rreth 300 mijë dollarë).

Diana e veshi fustanin e zi prej mëndafshi, të dizajnuar nga Christina Stambolian, në një mbrëmje gala në Londër në vitin 1994, vetëm pak orë pasi u transmetua dokumentari ku Princi Charles pranoi publikisht se kishte kryer tradhti bashkëshortore.

Veshja, e shoqëruar me taka të zeza, çantë clutch dhe një bizhuteri mbretërore, u kthye menjëherë në një nga momentet më ikonike të modës dhe kulturës pop. Sipas stilistes së saj, Diana dëshironte “të dukej një milion dollarë”.

Sotheby’s e përshkruan fustanin si një nga deklaratat më të fuqishme të Dianës përmes modës. Ai shitet në ankand për herë të parë që nga viti 1997, kur princesha nxori në shitje 79 fustane për të mbledhur fonde për bamirësi.

Fustani pritet të ketë një vlerë të lartë në ankand, ashtu si veshje të tjera të Dianës. Në vitin 2023, pulovra e saj me motivin e një deleje të zezë mes deleve të bardha u shit për 920 mijë paund.