Faktet tregojnë se pasuria e Ahmet Zogut është mjaft mirë e dokumentuar. Mbreti shqiptar ishte i pasur por jo aq sa ia veshën përmes propagandës. Për t’i dhënë fund këtij debati, lexoni specialen e Media Ditarit për pasurinë e plotë të tij pasi iku nga Shqipëria, nga llogaritë bankare, florinjtë, diamantet, biznesi që e pasuroi në rini dhe dyshimet për rryshfete. Pak a shumë, tek 10 milionë euro me të sotmet.
Erald Kapri
Pasuria e ish Mbretit shqiptar Ahmet Zogu ka ngjatur debate dhe kërshëri të shumta përgjatë gjithë kohës, si kur jetoi ashtu edhe pas vdekjes së tij. Por përkundrejt spekulimeve dhe debateve, pasuria e ish monarkut është pothuaj e zbardhur dhe e njohur. Por cila ishte ajo dhe sa mund të vlerësohet në ditët e sotme?! Nëse mund të thuhet e përmbledhur dhe në vlerën e sotme, ajo i kalon 10 milionë euro. Mbreti Zog ishte i pasur por jo aq sa spekulimet që i veshin një mister të pamerituar.
Sa kohë ishte Mbret në Shqipëri, Ahmet Zogu është komentuar gjerësisht për pasurinë e tij. Thashethemet për të ishin ndër bisedat kryesore në vitet 30 ndërsa ato i ftynte edhe shtypi i huaj që shkruante shpesh për “monarkun romantik” të Shqipërisë. Gazeta serioze perëndimore si The Times hidhte dyshime se pasuria e Zogu mund të ishte mbi 1 milionë sterlina, që sot mund të vlerësohej rreth 100 milione euro. Por kjo shifër ishte spekulim mediatik dhe aspak i bazuar në logjikë, kur për më tepër që Zogu udhëtonte me çfarë kishte me vete dhe s’mund të mbante në valixhe një pasuri të tillë.
Por le ta shohim nga fillimi.
Ahmet Zogu vinte nga një familje e rëndësishme e Shqipërisë, por jo ndër më të pasurat. Pasuria e familjes së tij as që mund të krahasohej me atë të ish vjehrrit Shefqet Vërlacit, ndër më të pasurit të vendit. Por jeta e Zogut nisi të ndryshojë herët ende pa nisur jetën e tij politike dhe kjo falë një kontrate biznesi.
Më prill të 1919-ës, në Shqipëri mbërriti një sipërmarrës italian, Anxhelo Rixardi Tempini (Angelo Rizzardi Tempini), i cili fare mirë mund të konsiderohet një ndër investitorët e parë të huaj në vend. Tempini ishte i interesuar në biznesin e drurit e pyjeve dhe ia vuri syrin Veriut të vendit, e veçanërisht zonës së Pukës e Matit, të cilat zotëroheshin nga djaloshi Ahmet Zogu. Bashkë nënshkruan një kontratë për “shfrytëzim e prerjesh pyjesh dushku në krahinën e Matit në zonën Pukë- Burrel-Kulla-Pashë”. Por, në vitin 1923, kjo marrëdhënie biznesi po lakmohej nga drejtuesit e Hekurudhës Shtetërore Italiane, të cilët ndërhynë deri te Musolini, i cili, me sa duket, ndikoi që sipërmarrësi italian ta linte në mes prerjen e pyllit të Zogut, për t’ia kaluar ndërmarrjes shtetërore të Hekurudhës.
Në nëntor 1923, Zogu nënshkroi kontratën e shfrytëzimit të pyllit me ndërmarrjen italiane në shumën e 1.7 milionë liretave, nga të cilat mori parapagim 700 mijë lireta. Në prag të zgjedhjeve politike të fundit 1923, Zogu nuhati se çështja e pyllit mund të përdorej sërish, për të financuar fushatën politike dhe mijëra njerëzit e armatosur që e ndiqnin nga pas. Përmes sipërmarrësit Xhuzepe Kleriçi (Guiseppe Clerici), Zogu kërkoi mbështetje me 2 milionë lireta, qoftë edhe si parapagim për pjesën tjetër pyjore që zotëronte ende. Italianët i dorëzuan 950 mijë lireta, e madje të kënaqur duke menduar se “Zogu do të paguajë vetë shpenzimet e fushatës së tij”.
Kjo kontratë biznesi e ktheu Zogun një ndër më të pasurit e vendit. Me marrjen e psuhtetit në vitin 1925 dhe nisjen e marrëdhënieve të ngushta me italianët, nuk ka ndonjë dëshmi apo fakt që mund ta akuzosh Zogun për rryshfet apo korrupsion. Me përjashtim të një rasti, në fillimin e vitit 1925 kur në dokumentet italiane përmendet se Zogut iu dha një ndihmë e konsiderueshme, me ndërmjetësimin e Myfid Libohovës, por mbetet e paqartë nëse këto para ishin për Republikën që pritej të formohej apo kontribut për të parin e vendit. Këto shuma parash ishin marramendëse për kohën dhe ndikuan fort në rritjen politike të Zogut. Libohova thotë në kujtimet e veta se ai vetë mori 1 milionë franga ndërsa Zogu mori 2 milionë dhe kjo ishte e barabartë sa për 100 mijë napolona floriri. Ky detaj përmendet edhenë kujtimet e një prej njerëzve më të afërt të Zogut, diplomatit Çatin Saraçi. Por në vijimësi, dukej e vështirë që Zogu të vidhte paratë e italianëve në Shqipëri të cilët i investonin me shumë kujdes.
Nga ana tjetër, Zogu zgjodhi që si kreu i shtetit të merrte një rrogë të konsiderueshme. Paga e tij si kreu i shtetit ishte 500 mijë franga ari në vit ose 25 mijë monedha ari. E gjithë kjo pasuri i siguroi atij një jetë komode dhe ai e demonstronte këtë përmes veshjeve të mira, për të cilat nuk kursente. Në vitet ‘30, gazeta britanike “Sphere” e konsideronte Zogun monarkun me më shumë kostume dhe uniforma, plot 2 mijë të tilla, duke thyer edhe rekordin e Mbretëreshës Britanike, e cila besohej se kishte një fustan për çdo ditë të vitit. Mbreti Zog kishte një koleksion të rrallë veshjesh mode, të cilat gjithnjë janë shoqëruar me shumë aksesorë të ndryshëm, që nga modelet e këmishëve, kravatave, këpucëve etj.
Pjesë e pasurisë së Mbretit Zog ishin edhe bizhuteritë e familjes, të Mbretëreshës Geraldinë dhe të motrave të tij, të cilat u morën pas largimit nga Shqipëria më 7 prill 1939. Ky thesar bizhuterish ishte një mister dhe pjesë e spekulimeve të shumta. Por, në vitin 1959, kur Familja Mbretërore shqiptare ndodhej në Francë dhe në vështirësi financiare, pjesa më e madhe e tyre u ekspozuan për publikun e Nju Jorkut, duke fituar vëmendjen e shtypit botëror. Familja Mbretërore në ekzil kishte kontaktuar Marianë Ostier (Marianne Ostier), krijuesen e disa prej bizhuterive. Ostier, një familje e njohur hebreo-austriake në prodhimin e bizhuterive, kishte lënë Vjenën në 1939-ën.
Ky thesar, i përbërë prej 17 copësh bizhuterish, iu rikthye kompanisë që kishte krijuar shumicën e tyre për t’i shitur në ankand dhe, sipas një shënimi të Marianës, iu ridhanë asaj për të hapur thirrje ankandi, në mënyrë që Familja Mbretërore Shqiptare “të mblidhte ndihma për refugjatët shqiptarë të larguar nga atdheu i tyre”. Koleksioni përfshinte kurorën me diamante të Geraldinës dhe princeshave shqiptare, byzylykë, vathë, varëse, një thikë ceremoniale etj. Ishte e qartë që Familja Mbretërore i nxori në shitje, për shkak të gjendjes së mjeruar financiare gjatë periudhës që jetoi në Francë pas largimit nga Egjipti. Në prill të 2016-ës, një politikan shqiptar bleu Kurorën e Mbretëreshës Geraldinë në ankand për shifrën rekord të 225 mijë dollarëve bashkë me kutinë origjinale me stemën e Mbretërisë Shqiptare.
Gjatë ekzilit, Zogu kishte disa valixhe të ruheshin gjithnjë nga nipat dhe truprojat më besnike. Aty ruheshin bizhuteritë me diamante dhe ari që mbante me veten. Në një rast, kur jetonte në Angli në vitin 1940, mendoi ti dërgonte këto valixhe në një banke në Kanada, për t’i mbajtur më të sigurta. Nga paniku, Mbreti i kishte hequr nga bodrumi i hotelit dhe i kishte futur ato në suitën e tij në “Ritz”. Zogu pranoi para autoriteteve britanike se ka 7 valixhe me objekte të çmuara, ç’ka nënkuptonte se sasia e arit nuk ishte aq e madhe.
Por pasuria më e madhe e Zogut ishte fshehur në 2 llogari sekrete bankare në banka perëndimore të krijuara që para luftës. Në bankën Llojd ai kishte vendosur 50 mijë sterlina ndërsa në bankën Ëestminstër kishte 82 mijë e 408 dollarë. Nëse konvertohen me paratë e sotme, këto shuma e kalojnë shifrën e 3 milionë eurove. Por edhe të afërmit e tij kishin para në banka. Autoritetet financiare britanike vëzhguan vizita në bankën “Ëestminster” që bëri nipi i Zogut, Salih Doshishti, bashkë me Princeshën Sanije, e martuar me Princin Abid. Ata kërkuan të këmbenin një sasi parash prej 18.900 dollarësh ditën e parë dhe ditën e dytë këmbyen edhe 12.600 dollarë të tjerë.
Një detaj që vlen të përmendet është se Zogu fitoi një kompensim financiar shumë të rëndësishme në përfundim të luftës. Mbi 130 valixhe të tij dhe të familjes u shkatërruan nga një sulm gjerman në Portin e Liverpulit dhe autoritetet britaniket vendosën ta dëmshpërblejnë me 51.500 sterlina, një shumë e konsiderueshme për kohën. Mercedesi i dhuruar nga Hitleri ishte i vetmi objekt që mbijetoi nga gjithë pasuria personale që ishte marrë me vete nga Familja Mbretërore, aq sa gjyshja e Geraldinës e shihte atë si një ogur të keq. Nuk ishte e lehtë të udhëtoje në mes të luftës në rrugët e Londrës me një makinë krenare gjermane dhe konsumuese të madhe benzine, që në Anglinë e luftës jepej vetëm me tollon. Geraldina dhe gjyshja e saj e shitën pa e njoftuar Zogun. Dikush u ofroi një çek për Mercedesin, por doli që ai ishte i rremë. Policia arriti ta gjente në garazhin e një skocezi që e kishte blerë për 800 paund. Zogu u detyrua t’i jepte këto para në dorë pronarit të ri dhe e risolli me triumf në garazhin e shtëpisë “Parmoor” Mercedesin e tij. Pak kohë më pas, duke respektuar dëshirën e Geraldinës, ai e fali Mercedesin te Kryqi i Kuq.
Përsa i përket thesarit të shtetit të marrë pas largimit nga Shqipëria më 7 prill 1939, kjo çështje është dokumentuar e gjitha. Në total, arka e shtetit kishte 566.975 franga ari, sipas edhe dëftesës së nënshkruar dhe procesverbalit të drejtorit Kel Naraçi, të cilat iu dorëzuan Zogut dhe qeverisë së tij. Kjo shumë shkonte në rreth 183 kilogramë ar. Këto para Zogu i shpenzoi shumë shpejt pasi i shpërndau për mbështetësit e vetë si dhe për mbajtjen hapur të të paktën 3 ambasadave gjatë luftës.
Në shtator të 1949-ës, Mbreti Zog ishte zhvendosur me familjen në Egjipt. CIA u bë kureshtare për të mësuar më shumë rreth aseteve dhe pasurisë së tij. Agjencia Amerikane e Inteligjencës mori një informacion nga një avokat amerikan, që ishte pajtuar nga Zogu për t’u kujdesur për interesat e tij. Juristi informoi se deri në mesin e vitit 1949, Zogu kishte të depozituar 108 mijë dollarë në “National City Bank” në Nju Jork, kishte investuar 5 mijë dollarë në një kompani investimesh, kishte një shtëpi në Aleksandri, bizhuteri të kurorës mbretërore në vlerë 100 mijë dollarë amerikanë dhe një sasi prej 450 mijë dollarësh në ar. Në informacionin e detajuar për CIA-n, juristi amerikan i Zogut pretendonte se monarku shqiptar kishte nxjerrë nga Shqipëria rreth 3 milionë dollarë në ar, që ishin harxhuar shpejt për mbajtjen e oborrit dhe mbështetjen e kauzës së tij, duke i mbetur më pak se një e gjashta e tyre.
Përveç pjesës së parë të aseteve të Zogut, të raportuara me saktësi, juristi nuk jepte shpjegim se nga e kishte informacionin që Zogu kishte marrë 3 milionë dollarë në ar kur u largua nga Shqipëria. Shuma prej 3 milionë dollarësh në flori dukej e zmadhuar, nisur nga fakti se një sasi e tillë do të ishte pothuaj e pamundur ta merrte me vete, ashtu siç bëri Zogu gjatë gjithë kohës me valixhet e famshme. Gjithsesi, juristi informonte se tregtia në Egjipt, ku Zogu ishte përfshirë përmes ndihmës së Mbretit egjiptian Faruk, kishte sjellë përfitime. Shifrat e pasurisë së Zogut të siguruara nga CIA përmes të besuarit të Zogut nuk tregojnë ndryshim thelbësor me shifrat e njohura gjatë luftës.
Spekulimet për pasurinë dhe jetën luksoze gjithnjë e shqetësuan Zogun. Në disa raste ai pranoi të fliste për disa gazeta për jetën e tij, duke hedhur poshtë zërat për pasuri marramendëse apo për jetë luksi, në kushtet e një lufte dhe mungesash të shumta. Në numrin e datës 17 mars 1942, ai do të citohej nga gazeta “Nottingham Evening Post” për jetën private dhe financat. “Do të doja të isha aq i pasur sa disa kritikë kanë dashur të besojnë. Kam një jetë tepër të zakonshme me familjen time dhe një staf të vogël. Banojmë në një shtëpi me qira. Këtu s’ka vend për luks apo pasuri të madhe”, – thoshte Zogu.
Në tërësi, pasuria e Zogut, gjatë luftës dhe pas luftës, ndryshoi. Ai e ruajti pjesën e florinjtë të paprekur gjatë pjesës më të madhe të kohës. Pas lufte vlera e arit u rrit ndjeshëm, çka kompensoi shumë prej shpenzimeve të bëra gjatë luftës. Duke njohur pjesën e llogarive bankare prej 50 mijë sterlinash, 82.408 dollarësh si dhe kompensimin prej 51.500 paundësh për dëme lufte (të cilën e mori në vitin 1945), pa llogaritur pjesën e arit apo bizhuteritë e familjes, shifra u afrohet 10 milionë eurove, me vlerën e sotme.
Pasuria e njohur e Ahmet Zogut
Të ardhura nga biznesi i pyjeve 100 mijë napolona flori
Koleksioni i Bizhuterive 17 bizhu me diamante/ Vlera rreth 50 mijë dollarë në 1959
Paga si Mbret 25 mijë napolona ari në vit/12 vjet
Llogari në Lloyd Bank 50 mijë sterlina
Llogari në Ëestminster Bank 82 mijë e 408 dollarë
Kompensim lufte për valixhet 51 mijë e 500 sterlina
Fondi i thesarit marrë me 7 Prill 1939 23 mijë napolona ari ose 183 kg flori
TOTALI: Pasuria monetare rreth 10 milionë euro, pa llogaritur arin dhe bizhuteritë