Në takimin e mbajtur me mbështetësit në Elbasan, kryeministri Rama duket se ka patur një ftesë edhe për deputetin demokrat Dash Sula, i cili mbeti jashtë listave të kandidatëve për zgjedhjet e e11 Majit.
Ai tha se PS është e hapur edhe për blunë, por Dash Sula duhet të dezinfektohet nga këneta, duke iu referuar një shkëputje totale të deputetit me Partinë Demokratike.
“Duhet të jemi të hapur edhe për blunë. Kjo është partia jonë, e mbajmë derën mbyllur nëpër territore por sot jemi këtu për t’iu thënë këtu mirë se vini përveç salamandrave dhe kukumjaçkave të kënetës nuk kanë vend. Kurse Dash Sula …duhet të dezinfektohet. Po duhet të heqë morrat e kënetës. Aty të mbyt morri, është tmerr. Kështu që më tha njeri nga ata. Çfarë e kanë këtë punë që nuk rrinë dot pa dalë në protestë. Kruhen, i mbyt morri. Edhe bufi rri mbi kokë.”, u shpreh Rama.
Nuk dihet se cila do të jetë përgjigja e Sulës për Ramën, por deputeti demokrat ka deklaruar gjithmonë se asnjë votë e tij nuk do të shkojë për Partinë Socialiste.