Fshehu pasurinë, SPAK kërkon 1.5 vite burg për ish-kryebashkiakun e Lushnjës

Prokuroria e Posaçme kërkon 1 vit e 5 muaj burg për ish-kryebashkiakun e Lushnjës, Fatos Tushe. Këtë të premte Prokuroria e Posaçme ka dhënë pretencën ndaj ish-kryebashkiakut socialist lidhur me akuzën ndaj tij për mosdeklarim të pasurisë.

Për shkak të gjykimit të shkurtuar, SPAK kërkoi uljen e një të tretës dhe dënimin e tij me 1 vit heqje lirie. Ky dënim u kundërshtua nga avokati i Tushës, i cili ka kërkuar pezullim të dënimit me burg dhe lënien e klientit në Shërbim Prove.

Pak pasi doli nga burgu, ndaj Fatos Tushes nisi një tjetër hetim për fshehje pasurie. Behet fjalë për një apartament në qytetin e Vlorës dhe dy automjete, në pronësi të tij, të cilat Tushe nuk i ka deklaruar.

Tushe u arrestua në vitin 2021, me urdhër të SPAK pasi hetimet e kryera përmes përgjimeve dhe analizimit të dokumenteve zbuloi një skemë të manipulimit të tenderëve dhe vjedhjes së karburantit të blerë për përdorim të bashkisë.

Në korrik të vitit 2022, Tushe u dënua me 3 vite 8 muaj burgim për shpërdorim detyre, që për shkak të gjykimit të shkurtuar iu konvertuan në 2 vjet e katër muaj.