Gjykata e Posaçme e Apelit e ka lënë sërish në burg kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, Fredi Belerin.
Ky i fundit kishte kërkuar masë më të lehtë sigurie që të betohej si kryetar bashkie, por gjykata e ka rrëzuar kërkesën e tij. E pranishme në këtë seancë ka qenë edhe ambasadorja greke në Shqipëri, Konstantina Kamitsi.
Kujtojmë se në seancën e fundit, Gjykata e Posaçme vendosi të dërgojë për gjykim dosjen e Fredi Belerit dhe Pandeli Kokaveshit, të akuzuar për blerje votash. Ata qëndrojnë në paraburgim prej 12 Majit të këtij viti, pasi akuzohen për blerje votash.
Vendimi i Gjykatës:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Engert Pëllumbi, sot më 18.09.2023, zhvilloi seancë gjyqësore për çështjen penale nr. 139 akti, datë 11.09.2023 regjistrimi, me objekt “Zëvendësimin e masës së sigurimit personal”, regjistruar mbi ankimin e personit nën hetim Dh.A.B., ndaj vendimit nr. 323 Akti, datë 21.08.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe vendosi:
– Lënien në fuqi të vendimit nr. 323 Akti, datë 21.08.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.