FOTO/ Kush janë të arrestuarit për vrasjen e Gentian Bejtjas, njëri prej tyre kushëriri i krahut të djathtë të Ervis Martinajt

Edison Haxhiu, 30 vjeç dhe Ilir Beqaraj, alias Brahimi, alias Mançellari 40 vjeç, janë dy të arrestuarit për vrasjen e Gentian Bejtjas, ngjarje kjo e ndodhur pasditen e 15 Marsit, në Larushkë të Fushë-Krujës.

Sipas hetimeve të deritanishme Haxhiu dhe Beqaraj janë afruar tek banesa e Bejtjas me automjetin e markës “Land Rover Discover” me ngjyrë të zezë dhe pas vrasjes janë larguar në aksin rrugor Larushkë – Thumanë. Pasi kanë kaluar mbikalimin e Fushë Krujës, autorët janë kthyer majtas dhe në fshatin Hasan kanë djegur automjetin që përdorën në krim.

Ndërkohë më pas ata janë larguar me një mjet tip “Golf”, në ngjyrë të zezë, pa targë në pjesën e pasme.

Po ashtu mësohet se Ilir Beqaraj që u arrestua nga policia është kushëriri i Ylli Brahimit. Ky i fundit raportohet se është njeri i afërt i Ervis Martinajt.

Ish-polici i burgjeve, Gentjan Bejtja u vra më 15 mars në oborrin e shtëpisë përmes një atentati të mirëorganizuar në Larushkë të Fushë Krujës.

Bejtja u kishte shpëtuar tri atentateve, por i katërti ishte fatal për të. Teksa ndodhej në oborrin e banesës duke punuar në serrë, persona të maskuar e qëlluan me breshëri plumbash. Pas ngjarjes, u shoqëruan në polici disa persona me precedentë kriminalë në zonë.