Një grabitje e pabesueshme në Luvër ka tronditur Francën: hajdutët arritën të marrin bizhuteri të paçmueshme të kurorës, në mes të ditës. Por një problem gjeometrik i zgjidhur mbi 50 vjet më parë mund t’u vijë në ndihmë muzeve për të përmirësuar sigurinë.
Gjithçka zgjati vetëm tetë minuta. Brenda 480 sekondave, hajdutët u ngjitën me një platformë mekanike deri në një ballkon të katit të parë të muzeut Luvër në Paris, prenë një dritare dhe hynë brenda në mes të ditës. Në pak çaste, ata thyen dy vitrina qelqi dhe u larguan me tetë bizhuteri të epokës napoleonike me vlerë të pallogaritshme. Ishte një “grabitje e guximshme” që ka tronditur Francën.
Shtatë persona janë arrestuar deri më tani, por një pyetje vazhdon të ngrihet: pse hajdutët nuk u zbuluan më herët?
Në një seancë dëgjimore para Senatit francez, drejtoresha e Luvrit, Laurence des Cars, pranoi se muzeu kishte “dështuar në mbrojtjen” e bizhuterive të kurorës. Ajo zbuloi se e vetmja kamerë që mbulonte ballkonin nga ku hynë hajdutët ishte e kthyer në drejtim të gabuar, ndërsa një raport paraprak tregoi se një në tre salla në krahun Denon – ku ndodhi grabitja – nuk kishte kamera sigurie fare.
Des Cars pranoi gjithashtu se shkurtimet në personelin e sigurisë dhe mbikëqyrjes e kishin lënë muzeun të pambrojtur, duke shtuar se sistemi i sigurisë së Luvrit duhet të forcohet për të “shikuar kudo”.
Sipas Ministrisë Franceze të Kulturës, alarmet funksionuan siç duhej. Megjithatë, kjo është grabitja e tretë e madhe që ndodh në muzetë francezë brenda dy muajve, çka ka detyruar autoritetet të zbatojnë plane të reja sigurie në mbarë vendin.
Por ndërsa siguria moderne e muzeve është komplekse dhe e kushtueshme, ekziston edhe një problem i vjetër matematikor që mund të ndihmojë: “problemi i muzeut” ose “problemi i galerisë së artit”. Ai pyet: sa roje – ose kamera me pamje 360 gradë – duhen që një muze të mbikëqyret plotësisht?
Matematicieni Václav Chvátal dha një zgjidhje elegante në vitin 1973. Ai tregoi se numri minimal i kamerave që duhen varet nga numri i qosheve (ose “kulmeve”) që ka plani i dyshemesë së ndërtesës. Nëse ndajmë numrin e qosheve me tre, marrim numrin minimal të kamerave të nevojshme për mbulim të plotë.
Për shembull, një sallë me 15 qoshe kërkon pesë kamera (15/3 = 5). Edhe nëse ndarja nuk del e plotë – për shembull një sallë me 20 qoshe jep 6,6 – gjithsesi mjaftojnë 6 kamera.
Në vitin 1978, profesori amerikan Steve Fisk ofroi një provë të bukur për këtë rregull. Ai tregoi se plani i muzeut mund të ndahet në trekëndësha, dhe qoshet mund të ngjyrosen me vetëm tre ngjyra – të kuqe, të verdhë dhe blu – në mënyrë që çdo trekëndësh të ketë nga një qoshe të secilës ngjyrë. Pastaj, mjafton të vendosim kamera vetëm në qoshet e një ngjyre (p.sh. të kuqe) për të mbuluar të gjithë hapësirën.
Në këtë mënyrë, edhe galeritë me forma komplekse mund të sigurohen me shumë më pak kamera sesa mendohet. Dhe me kamerat moderne me pamje panoramike, numri mund të jetë edhe më i vogël.
Shumica e dhomave në muzetë tradicionalë, si Luvri, janë drejtkëndëshe – gjë që sipas një varianti të problemit, do të thotë se mjafton një kamerë për mbulim të plotë.
Des Cars pranoi gjithashtu se kamerat e jashtme të Luvrit nuk mbulojnë të gjitha muret e jashtme: “Nuk i vumë re hajdutët mjaftueshëm herët… dobësia e mbrojtjes sonë perimetrale është e njohur,” tha ajo.
Versione të tjera të këtij problemi – si “problemi i fortesës” apo “problemi i burgut” – ndihmojnë të llogaritet edhe mbulimi i jashtëm i ndërtesave. Të gjitha nxjerrin të njëjtin mësim: pikat e vrojtimit janë thelbësore.
Por hajdutët që hyjnë nga galeritë publike nuk janë rreziku i vetëm. Në vitin 2011, një unazë Cartier me vlerë 950 mijë dollarë u zhduk nga koleksioni i Muzeut Britanik në Londër – pjesë që nuk ekspozoheshin për publikun. Disa prej tyre u gjetën në shitje në eBay në vitin 2020, thuhet se të vjedhura nga një kurator i brendshëm.
Muzetë përballen gjithashtu me kërcënime nga vandalizmi, zjarret apo dëmtime të tjera. Megjithatë, “problemi i galerisë së artit” mbetet një mjet i vlefshëm përtej botës së muzeve. Ai përdoret në robotikë për të shmangur përplasjet, në planifikimin urban për vendosjen optimale të antenave apo stacioneve celulare, madje edhe në menaxhimin e fatkeqësive për të pozicionuar dronë apo ekipe mjekësore në terren.
Në fushën e teknologjisë së imazheve, ky problem ndihmon në përcaktimin e zonave të dukshme brenda një skene apo në ndriçimin e saktë të skenave teatrale – e pse jo, edhe të galerive të artit.
Luvri nuk iu përgjigj pyetjeve të BBC-së nëse është në dijeni të këtij problemi matematikor. Por ndërsa muzetë në mbarë botën po rishikojnë masat e tyre të sigurisë pas kësaj grabitjeje tronditëse, ndoshta ia vlen të kujtohet se një formulë 50-vjeçare mund të ofrojë ende mësime të vlefshme.