Shqipëria do të luajë sot në Letoni kundër vendasve në ndeshjen e katërt të eleminatoreve për Kampionatin Botëror që zhvillohet vitin e ardhshëm.
Për kuqezinjtë vlerë ka vetëm fitorja, pas barazimit pa gola ndaj Serbisë në “Air Albania”. Trajneri Sylvinho ka vendosur 11-shen titullarë, ku ndryshime do të kjetë vetëm në mbrojtje, ndërsa pjesa tjetër e skuadrës mbetet ajo e ndeshjes së 3 ditëve më parë.
Në portë Strakosha që rikonfirmohet, ashtu si Mitaj në krahun e majtë të mbrojtjes. Në qendër do të luajnë Kumbulla dhe Ismajli, pasi Gjimshiti është i skualifikuar dhe Ajeti ka patur probleme fizike, ndërsa në të djathtë Balliu do të zëvendësojë Hysajn.
Në mesfushë do të jenë sërish Asllani, Shehu dhe Laçi, ndërsa edhe sulmi mbetet i njëjtë me Brojën, Hoxhën dhe Manajn, me këtë të fundit që ka marrë edhe shiritin e kapitenit.
