Fondet e KQZ-së dhe gjysma e rrogës së Redi Muçit nuk mjaftojnë, Arlind Qori u bën thirrje anëtarëve të shtojnë kontributin për partinë

Partia Lëvizja Bashkë iu drejtua me shkresë KQZ-së për t’u informuar mbi financimin që i takon sipas ligjit kësaj force politike, pasi arriti të nxjerrë një deputet në zgjedhjet e 11 Majit.

Kreu i kësaj partie, Arlind Qori, në një postim në rrjetet sociale ditën e sotme sulmon disa nga mediat që publikuan këtë lajm, duke i quajtur “portale patronazhistësh”, për të cilat thotë se janë mësuar me parti që mbahen me paratë e oligarkëve, mafiozëve dhe të korruptuarve.

Ai tregon se deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, do të dhurojë gjysmën e rrogës së tij për partinë, por sërish këto të ardhura janë të pamjaftueshme për të zgjeruar veprimtarinë e kësaj force politike.

Ndaj, Qori u ka bërë thirrje anëtarëve të shtojnë kontributin e tyre financiar për Lëvizjen Bashkë.

Postimi i Arlind Qorit:

Janë shqetësuar disa portale patronazhistësh se pse Lëvizja BASHKË i është drejtuar me shkresë zyrtare KQZ për t’u informuar mbi financimin që na takon ligjërisht si parti prej buxhetit të shtetit. Nuk kanë faj derëzinjtë. Janë mësuar me parti që mbahen me paratë e oligarkëve, mafiozëve dhe të korruptuarve. Në mendjen e tyre të vockël nuk ka vend për mendimin që një parti mund ta mbështetë veprimtarinë e saj te ligji dhe vullneti i aktivistëve të saj. Kushedi sa pataksen, pastaj, kur dëgjojnë se deputeti i Lëvizjes BASHKË Redi Muçi do të kthejë në arkën e partisë thuajse gjysmën e rrogës së vet.

Meqë m’u dha rasti, dua t’iu bëj një thirrje publike anëtarëve dhe mbështetësve të Lëvizjes BASHKË. Të ardhurat që do të na vijnë (me shpresë pas disa muajsh) nga buxheti i shtetit, janë të pamjaftueshme për ta zgjeruar dhe forcuar veprimtarinë tonë politike, siç kemi në plan dhe siç e kërkon koha. Ndaj ju ftoj të vazhdoni, madje mundësisht edhe ta shtoni, kontributin tuaj financiar për Lëvizjen BASHKË në këtë link: https://levizjabashke.al/kontribuo/

Post Scriptum

Unë e shleva të hënën kuotizacionin e gushtit.