Nga Erald Kapri
Prej dy orësh, si rrallë më parë, Kryeministri Edi Rama iu drejtua të zgjedhurve të tij përmes një stili të njohur në gjithë këto vite ku flet vetëm udhëheqësi.
Përkundrejt mesazheve që përcolli, në fakt kryeministri dhe mazhoranca e tij ka treguar krejt të kundërtën në raport me sfidën më të madhe të shoqërisë shqiptare; korrupsionin.
Rama tha se ai apo mazhoranca e tij nuk do mbrojë asnjë zyrtar të korruptuar, por faktet kanë folur ndryshe.
Vetëm pak javë më parë, ai shkeli vendimin e Gjykatës Kushtetuese për t’i gjykuar mandatin deputetes Olta Xhaçka për statusin e investitores strategjike, edhe pse drejtësia ka faktuar se familja e saj ka vjedhur pronën në bregdet.
Më herët, Rama ka mbrojtur publikisht ish zyrtarë të tjerë të lartë mes tyre ish ministrin Ilir Beqja, të cilin nuk e quajti të korruptuar edhe pse ka akuzë zyrtare për shpërdorim detyre për sterilizimin që u kushtoi shqiptarëve mbi 100 milionë euro.
Por kjo nuk është deklarata e parë e ngjashme e Ramës. Që nga fillimi ka thënë të njëjtat gjëra, por ka vepruar të kundërtën. Kokëfortësia për të mbrojtur projekte të mëdha korruptive si inceneratorët e ka lënë zbuluar ndaj qëndrimeve publike.
Po ashtu, sulmi ndaj Prokurorisë së Tiranës nuk ishte një lajm i ri, përkundrazi, janë deklarata të përsëritura.
Por në fakt, djalli fshihet në detaje. Në fund të deklaratës prej dy orësh, ai propozoi një draftrezolutë për t’u miratuar në Kuvend, e cila do të duhet të krijojë nisma për ndryshime ligjore në drejtësi.
Po çfarë kërkon të ndryshojë mazhoranca me ligjet në Drejtësi?
Për këtë, Rama nuk tha asnjë fjalë. Arsyeja është e thjeshtë. Teksa drejtësia po godet në nivele të larta, duket që Rama po vepron drejtpërdrejtë për ti vënë kufij drejtësisë.
Ndryshimet ligjore nuk kanë të bëjnë aspak me luftën ndaj korrupsionit pasi korrupsioni luftohet me vullnet dhe politika të ndershme. Ndryshimet ligjore duket se kanë si mesazh që drejtësia të mos ndëshkojë siç po bën aktualisht.
Ndaj, e gjithë veprimtaria në vijim e mazhorancës, e cila mund të joshë edhe opozitën në Kuvend, duhet ndjekur me vëmendje pasi në plan ka vetëm të luftojë drejtësinë, dhe jo ta ndihmojë atë. Ky është alarmi i ri që duhet të zgjojë shqiptarët nga gjumi.