Financimi i fushatës nga regjimi i Gaddafit, ish-presidenti francez Sarkozy dënohet me 5 vite burg

Një gjykatë në Paris dënoi të enjten ish-presidentin francez Nicolas Sarkozy me pesë vite burg, pasi e shpalli fajtor për bashkëpunim kriminal në një skemë për financimin e paligjshëm të fushatës së tij presidenciale nga regjimi i ish-udhëheqësit libian Moammar Gaddafi.

Gjykata gjeti se Sarkozy ishte pjesë e një komploti, midis viteve 2005 dhe 2007, për të financuar fushatën e tij me fonde nga Libia në këmbim të favorizimeve diplomatike. Megjithatë, ai u shpall i pafajshëm për tre akuza të tjera, përfshirë korrupsionin pasiv, financimin e paligjshëm të fushatës dhe fshehjen e shpërdorimit të fondeve publike.

Sarkozy, 70 vjeç, ishte i pranishëm në sallën e gjyqit, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, këngëtarja dhe modelja Carla Bruni-Sarkozy. Në sallë ishin gjithashtu të pranishëm tre djemtë e tij të rritur, gazetarë dhe pjesëtarë të publikut.

Me këtë vendim, Sarkozy bëhet ish-presidenti i parë francez që shpallet fajtor për pranimin e fondeve të paligjshme të huaja për të fituar pushtetin. Ai ishte zgjedhur president në vitin 2007, por humbi mandatin e dytë në zgjedhjet e vitit 2012.

Gjatë një procesi që zgjati tre muaj dhe përfshiu edhe 11 të bashkëpandehur, përfshirë tre ish-ministra, Sarkozy i mohoi të gjitha akuzat dhe e cilësoi çështjen si të motivuar politikisht.

“Komplot nga gënjeshtarë dhe mashtrues”

Sipas mbrojtjes, çështja bazohej në prova të falsifikuara dhe u konsiderua nga vetë Sarkozy si pjesë e një “komploti” të organizuar nga ajo që ai e quajti “klani i Gaddafit”. Ai ka sugjeruar se këto akuza janë hakmarrje për rolin e tij vendimtar në ndërhyrjen ushtarake në Libi gjatë vitit 2011, kur Franca mbështeti përmbysjen e regjimit të Gaddafit gjatë Pranverës Arabe.

“Çfarë besueshmërie mund të kenë deklarata të tilla të shënuara nga hakmarrja?”, u shpreh Sarkozy gjatë seancave gjyqësore.

Humbja e medaljes më të lartë të Francës

Në qershor të këtij viti, Sarkozy u zhvesh nga Urdhri i Legjionit të Nderit, dekorata më e lartë shtetërore në Francë, pas një dënimi të mëparshëm për korrupsion.

Ai ishte shpallur fajtor për korrupsion dhe ndikim të paligjshëm, pasi kishte tentuar të korruptonte një gjyqtar në vitin 2014 për të marrë informacion konfidencial rreth një çështjeje ku ai ishte i përfshirë. Për këtë vepër, u dënua me një vit mbikëqyrje elektronike, por në maj të këtij viti, për shkak të moshës, iu lejua lirimi me kusht, duke hequr pajisjen e gjurmimit pas pak më shumë se tre muajsh.

Ndërkohë, në një çështje tjetër, Sarkozy është dënuar për financim të paligjshëm të fushatës zgjedhore të vitit 2012, ku akuzohet se kishte shpenzuar gati dyfishin e shumës ligjore të lejuar. Për këtë, ai është dënuar me një vit burg, nga i cili gjysma është pezulluar. Ai e ka apeluar vendimin në Gjykatën e Lartë të Kasacionit, dhe procesi është ende në zhvillim.