Mijëra besimtarë myslimanë janë mbledhur në orët e para të mëngjesit në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë për të falur namazin e Kurban Bajramit, një nga festat më të rëndësishme në kalendarin islam.
Kreu i Komunitetit Mysliman i Shqipërisë, Bujar Spahiu, uroi gjithë besimtarët dhe bëri thirrje që të ndihmohen të gjithë e Zoti të sjellë paqe kudo në botë.
“Ju uroj gëzuar Kurban Bajramin. Ditën e solidaritetit dhe ndihmës ndaj njëri-tjetrit, kjo festë simbolizon. Feja jonë islame na mëson të jemi pranë njerëzve në nevojë dhe të lëmë mënjanë gjërat e këqija, duke u orientuar te e mira dhe e bukura. Ta duam njëri-tjetrin për hatër të Zotit dhe të bëjmë punë të mira për shoqërinë, vendin tonë dhe rininë. Kjo botë është kalimtare dhe duhet ta jetojmë siç duhet. Gëzuar Kurban Bajramin anë e mbanë botës, duke shpresuar nga Zoti që të sjellë paqe e mirësi në ato vende ku ka ende konflikte”, u shpreh ai.
Kurban Bajrami është një nga festat më të rëndësishme në fenë islame, e njohur edhe si Festa e Sakrificës. Ajo kremtohet nga besimtarët myslimanë në mbarë botën dhe simbolizon bindjen, devotshmërinë ndaj Zotit dhe solidaritetin me njerëzit në nevojë.
Festa lidhet me historinë e profetit Ibrahim, i cili sipas traditës islame ishte i gatshëm të sakrifikonte djalin e tij si shenjë bindjeje ndaj Zotit. Në momentin e fundit, Zoti e zëvendësoi sakrificën me një kurban, duke treguar se besimi dhe përkushtimi janë më të rëndësishmet.