Fëmijët dhe daja u qëlluan brenda në makinë me plot 28 plumba kallashi, autorët zunë pritë në hyrje të vilës së Bejtjas

Elton Qyno

Plot 28 plumba automatiku, janë lëshuar mbi automjetin ku ndodhej Ramazan Sina dhe dy nipërit e tij, të moshës 13 dhe 10 vjeç.

Fëmijët ndodheshin brenda një automjeti së bashku me dajën e tyre Ramazan Sina, të cilët teksa po hynin në ambjentet e shtëpisë së Gentjan Bejtjas, janë sulmuar më armë në mënyrë të befasishme.

Sipas burimeve të policisë, autorët kanë zënë pritë pranë banesës së Bejtjas, ku sapo është shfaqur makina e tij, kanë hapur zjarr, duke vrarë në vend drejtuesin e makinës Ramazan Sina dhe plagosur dy fëmijët e mitur.

Ngjarja ka ndodhur në oborrin e shtëpisë, ndërsa në vendin e krimit policia kriminale ka sekuestruar plot 28 gëzhoja automatiku, të cilat tashmë janë çuar për ekspertim balistik dhe daktiloskopik, për të mësuar nëse janë qitur nga e njëjta armë dhe nëse ka elemntë të gjurmëve të gishtave.

Fatmirësisht nga kjo ngjarje e rëndë kanë shpëtur dy fëmijët e mitur. Ndërsa policia dhe prokuroria e Tiranës, kanë sekuestruar pamjet filmike të disa kamerave, mbetjet e një makine tip “Golf 5” të djegur dhe tre kallashnikovë të djegur.

Deri në këtë fazë, dyshohet se objektiv i sulmit me armë ka qënë Gentjan Bejtja.

Ky i fundit një ish-punonjës i Policisë së Fushë-Krujës, që më pas është implikuar në disa ngjarje kriminale të rënda.

Për herë të parë, emri i Gentjan Bejtja, është lakuar mediatikisht kur në qytetin e Durrësit, vodhi së bashku me Enver Stafukën makinën tip “BMW”, të cilën disa ditë më vonë e përdorën në vrasjen e kryekomisarit të policisë së Shtetit, Dritan Lamaj në Tiranë.

Bejtja është lakuar dhe në disa ngjarje kriminale të ndodhura në Tiranë dhe Durrës, ku pas marjes në pyetje ai është lënë sërisht i lirë. Në vrasjen e Arben Mërkurin alias “Maneci”, Gentjan Bejtja ka dhënë shpjegime në polici mbi atë cfarë dinte.

Më pas ai është lënë i lirë. Ndërsa pyetja e tij në polici, ka vijuar dhe për ngjarjen e vrasjes së Iljaz Çalit në autostradë dhe tek vrasja e ndodhur një vit më parë në mbikalimin e Fushë-Krujës, ku mbetën të vdekur Briland Martinaj, Besmir Hoxha dhe Diklen Vata.

Bejtja njihet si një person që mbante lidhje të ngushta me Enver Stafukën, të zhdukur disa vite më parë.

Ndërsa mes kundërshtarëve të tij në zonën e Fushë-Krujës, policia rendit Durim Bamin, Ramazan Rajën, Mariglen Hakën.

Bami dhe Haka, ditën e sotme janë shoqëruar në polici ku aktualisht po meren në pyetje.

Ndërsa për shkak të dinamikës intensive të ngjarjes dhe dëmeve njerëzore të shkaktuara në familjen e Gentjan Bejtja, asnjë nga të afërmit e të dëmtuarve nuk është marë në pyetje.