Deputeti i PS Fatmir Xhafaj e konsideron “pushtet të madh” atë të Edi Ramës dhe partisë të cilës ai i përket. Xhafaj ka thënë në një intervistë për Merita Haklajn në A2CNN, se është momenti që kryeministri të tregojë urtësi dhe të bëjë një reflektim të thellë, në kushtet e këtij realiteti të ri shoqëror dhe politik!”
Ish ministri i Brendshëm tha se opozita është shumë e dobët, për fatkeqësinë e saj dhe të këtij vendi dhe mazhoranca nuk ka një pasqyrë përballë. I pyetur për arrestimin e Vangjush Dakos, një vendim që ishte folur se do të merrej që kur Xhafaj ishte ministër, ky i fundit tha se lidhja e politikës me krimin mbetet një problem, duke konfirmuar kështu se ai beson se akuzat ndaj Dakos janë reale.
“Mazhoranca ka një pushtet të madh që është e pamundur ta kontrollosh me një telefon apo me një individ, cilido qoftë ai, sado supermen të jetë. Nevoja për të reflektuar për këtë përgjegjësi është një gjë shumë e drejtë dhe kryeministri ka bërë shumë mirë. I pari që duhet të reflektojë është vetë kryeministri pasi ka përgjegjësinë e lidershipit politik për ta orientuar këtë pushtet të kësaj force politike dhe që të mundet ta mbajë këtë barrë pa kosto shumë të mëdha. Se barra kur dobësohet kurrizi të thyen në mes. Dhe mund të na ndodhi ajo që po i ndodh opozitës”, tha ai.
Sipas Xhafajt, Rama e ka kuptuar se mazhoranca duhet të vijojë të jetë e qëndrueshme në këtë mjedis politik.
“Nga artikulimet që ka bërë kryeministri më lë të kuptoj që është i shqetësuar dhe ndoshta po reflekton. Dhe dua ta shoh që të hedhin ë tavolinë reflektime serioze. Në disa raste nuk ka nevojë për të bërë disa make up të makinës por edhe për ta rinovuar plotësisht. Shpresoj që të ketë urtësinë ta realizojë”, theksoi ai.
Më tej Xhafaj foli rreth rivalitetit të brendshëm në PS, duke theksuar se është i dobishëm në kushtet kur nuk shndërrohet në konflikt.
“Unë mendoj që PS do të vazhdoj të mbetet një forcë e besueshme dhe udhëheqëse në këtë vend sa kohë do ketë harmonizim të mirë të gjeneratave. Sa kohë do ti integrojë mirë të 3 apo 4 gjeneratat brenda formacionit politik. Dhe rivalitetet dhe konkurrencat e shëndetshme pa u kthyer në konflikt janë të shëndetshme. Edhe ambiciet janë gjëra normale. Brenda PS ka burra e gra që e meritojnë ta kenë këtë ambicie”, u shpreh ish-ministri i Brendshëm.