Elton Qyno
Mes përplasjeve dhe serialit të vrasjeve që ka përfshirë familjen Lekstakaj dhe Nikulaj në Lezhë, tashmë këtij konflikti i është shtuar dhe një betejë ligjore në Angli, ku synohet heqja e statusit të azilantit politik, ndaj familjes Lekstakaj dhe Haxhia.
Nisma ligjore është nisur nga familjarët e biznesmenit të ndjerë Ardian Nikulaj, i cili mbeti i vrarë me 6 plumba në 19 prill 2023 në restorantin e tij në Lezhë.
Të afërmit biznesmenit Ardian Nikulaj, kanë kontraktuar një nga zyrat më të njohura të avokatisë në Londër, ku qëllimi është për marrjen e hapave ligjore dhe lobuese, për heqjen e statusit të azilantit politik për familjen e Klodian dhe Elton Lekstakaj si dhe familjen e Edmond Haxhisë.
Kërkesat ligjore që mësohet të jenë drejtuar në Zyrën e Migracionit dhe në një gjykatë Angleze, vijnë me argumentin se dy familjet Haxhia-Lekstakaj edhe pse nën ruajtjen dhe besimin e shtetit Britanik, kanë marë veprime kriminale nga Anglia në Shqipëri, duke ekzekutuar Ardian Nikulaj.
Kjo gjë ka thyer kriteret për miratimin e statusit të azilantit politik, dhe për pasojë familja Nikulaj, kërkon nga shteti anglez ti revokojë statusin e azilantit, duke dëbuar nga territori i Britanisë së Madhe dy familjet Lekstakaj-Haxhia.
Sipas ankimit të dorëzuar nga të afërmit e Ardian Nikulaj, dy familjet janë organizatoret, financueset dhe shtysa kryesore për sulmin me armë në 19 prill 2023 ndaj Ardian Nikulaj.
Për vrasjen e biznesmenit policia dhe prokuroria e Lezhës, kanë identifikuar dhe arrestuar disa persona me shtetësi Angleze, Marokene, ku mes autorëve është dhe Shqiptari Edmond Haxhia.
Haxhia rezulton të jetë nipi i Elton dhe Klodian Lekstakaj, dy vëllezërit kundërshtarë të betuar të familjes Nikulaj në Lezhë.
Pas vrasjes së Ardianit, në një atentat tjetër në 19 korrik 2023 ekzekutohet Nikolin Lekstakaj.
Ndërkohë seriali i vrasjes ka vijuar në 2 dhjetor 2023, ku gjatë një sulmi me armë mbeti i vrarë Etjan Nikulaj, djali i xhaxhait të Ardian Nikulaj.
Për të dyja këto vrasje policia nuk ka asnjë person të arrestuar. Ndërsa për ekzekutimin e Ardian Nikulaj pak ditë më parë në Shqipëri, u ekstradua marokeni, Ruben Saraiva.
Ndërsa procedurat e ekstradimit nga Anglia në Shqipëri, vijojnë të jenë të hapura për Edmond Haxhia, Michael Snoë, Steven Hunt, Thomas Mithan dhe Harriet Bridgeman.