Një grup minatorësh protestuan ditën e sotme përpara Kuvendit, duke kërkuar që të miratohet statusi i minatorit.
Nuk është hera e parë që ata ngrihen për këtë kauzë. Statusi i minatorit ka qenë temë diskutimi për shumë vite me radhë dhe një premtim mesa duket i lënë në harresë dhe i pambajtur nga qeveria në 30 vite.
Tri vite më parë, Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës i dorëzoi Kuvendit dhe Këshillit të Ministrave peticionin me 10700 firma për kërkimin e “Statusit të Minatorit”, i cili do të mundësonte sigurimin e jetës për minatorët, rritjen e pagave, pensioneve, garantimin e kujdesit shëndetësor dhe mbështetjen financiare të familjeve në raste vdekjesh ose aksidentesh.
Që prej vitit 2009, atëherë lider i opozitës, Rama ka premtuar disa herë miratimin e këtij statusi, sidomos gjatë fushatave elektorale.
Në vitin 2018, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë miratoi draftin përfundimtar për Statusin e Minatorit, nga i cili pritej të përfitonin më shumë se 6000 punonjës të nëntokës por procedurat dështuan dhe për këtë qeveria nixtoi të fajësonte sindikatat. Gjithashtu, LSI, në koalicion me PS premtoi miratimin e këtij statusi.
Ekziston vetëm një ligj, ai për trajtim financiar suplementar të punonjësve që kanë punuar në miniera nëntokë, të punonjësve të industrisë së naftës dhe të gazit dhe punonjësve që kanë punuar në metalurgji, i cili nuk garanton statusin e veçantë dhe mbulon vetëm pjesërisht kërkesat e minatorëve.
Të dhënat e Inspektoriatit Shtetëror të Punës për vitin 2022 tregonin që viktimat e aksidenteve në miniera përbëjnë 20 deri në 25 për qind të totalit të të vdekurve nga aksidentet në punë.
Minatorët në vendin tonë vazhdojnë të mbeten një kategori e pasiguruar dhe një komunitet i humbur, për të cilin partitë politike rikujtohen çdo katër vjet, në fushatën elektorale të radhës. Ata kërkojnë një status ligjor të posaçëm që u garanton 2 kërkesa themelore, siguracion për aksidentet në punë dhe pension të plotë në moshë më të re.