Çmimet e produkteve të konsumit shënuan rekord gjatë vitit të kaluar dhe megjithëse rrogat nuk kanë pësuar rritjen që pritej dhe u premtua, çmimet nuk kanë ndryshuar.
Ndonëse rënia e euros ka favorizuar shumë importuesit dhe shifrat e produkteve që ata sjellin në vend duhet të kishin pësuar ulje, në asnjë produkt nuk është vënë re të ndryshojë diçka e tillë. Psh. çmimi i miellit ka rënë, por çmimi i bukës nuk ka ndryshuar nëpër furra, çmimi i naftës ka rënë shumë në tregun ndërkombëtar, por këtu vazhdon të mos ndryshojë.
Ministrja e Ekomisa Delina Ibrahimaj ka pranuar në një intervistë për Euronews Albania se rënia e çmimeve që duhet të kishte ndodhur nuk është reflektuar në tregun vendas. Por ministrja është justifikuar duke thënë se qeveria nuk ndërhyn dot, pasi jetojmë në një ekonomi të lirë.
“Ne nuk kemi parë një rënie të çmimeve në tregun vendas dhe kjo është arsyeja pse unë thashë që ne do të shohim dhe do të monitorojmë situatën në vazhdimësi, pasi nuk do të lejonim asnjëherë që të kryeshin spekulime me çmimet e konsumit. Megjithatë ne jemi në një ekonomi të lirë, ku çmimi i tregut përcaktohet nga kërkesa dhe nga oferta dhe roli i qeverisë është i limituar në përcaktimin e çmimeve apo në detyrimin dhe ndikimin e subjekteve që qeveria mund të ketë në përcaktimin e çmimeve”, tha Ibrahimaj.
Ndërkohë nga zhvlerësimi i monedhës euro, e cila po pëson çdo ditë ulje historike, e pësojnë më shumë qytetarët që mbahen nga remitancat dhe eksportuesit.
Ministrja e Ekonomisë tha se qeveria është munduar për të marrë masa për të ndihmuar eksportuesit duke bërë bisedime për të gjetur zgjidhje.
Ajo tha se kanë zhvilluar takime me eksportuesit që preken më shumë nga ky fenomen dhe janë në bisedime me shoqatat për të gjetur zgjidhje.
Por ministrja “ka harruar” se në ekonominë e tregut të lirë duhet ndërhyrja e shtetit për të kapërcyer dështimin e përkohshëm në funksionimin e mekanizmit të tregut. Sepse siç e kemi parë, për sa kohë që autoritetet nuk ndërhyjnë në uljen normale që duhet të pësojnë çmimet, Banka e Shqipërisë nuk ndërhyn në tregun valutor dhe Ministria e Financave thjesht monitoron, të vetmit që e pësojnë janë qytetarët e thjeshtë.