Euro e nis javën në rënie, blerjet e Bankës së Shqipërisë nuk po stabilizojnë tregun

Monedha europiane e ka nisur edhe këtë javë me rënie edhe pse Banka e Shqipërisë bleu javën e kaluar rreth 12 milion euro.

Sipas kursit të publikuar nga Banka e Shqipërisë, valuta europiane po këmbehet mesatarisht me 107.17 lekë duke humbur 0.2 pikë në raport me fundjavën.

Në shitje euro po këmbehet me 106.58 lekë, ndërsa po blihet për 105.74 lekë. Bashkë me euron janë zhvlerësuar edhe valutat e tjera kryesore në vend si dollari apo paundi.

Pavarësisht eurove të tërhequra nga  Banka e Shqipërisë, tregu valutor ende nuk po stabilizohet.

Në total, shuma e blerë në ankandin e datës 22 shtator arriti në 12 milionë euro.

Oferta e pjesëmarrësve në ankand këtë herë rezultoi mjaft e lartë, për një vlerë totale prej 22.4 milionë eurosh.

Sipas shifrave të raportuara nga Banka e Shqipërisë dhe llogaritjeve të “Monitor”, deri tani Banka e Shqipërisë ka blerë rreth 202.5 milionë euro në ankandet valutore të zhvilluara për vitin 2023. Megjithatë, vlerësohet se impakti afatshkurtër i këtyre ankandeve në kursin e këmbimit nuk ka qenë shumë domethënës. Leku ngelet në pozita të forta, megjithëse kursi është korrigjuar disi në rritje, pasi më datë 20 korrik Euro arriti shumë afër kufirit të 100 lekëve.