Kursi i këmbimit Euro-Lek e ka mbyllur këtë javë në rënie të mëtejshme dhe ka prekur një minimum të ri historik. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane u këmbye sot me 95.44 lekë, niveli më i ulët i të gjitha kohërave.
Që nga fillimi i vitit, Euro është zhvlerësuar me 1.4%, ndërsa me bazë vjetore rënia e monedhës europiane ka arritur nivelin 2.8%.
Tremujori i dytë duket se i ka forcuar më shumë presionet nënçmuese mbi kursin e këmbimit të Euros, presione që, ndryshe nga vitet e mëparshme, kanë qenë të dukshme madje edhe në tremujorin e parë të vitit.
Agjentët e këmbimit valutor shprehen se oferta valutore është e bollshme, ndërsa kërkesa e ulët, duke bërë që tregu të shtyjë drejt një rënieje të mëtejshme të kursit të Euros.
Duke pasur parasysh trajektoren në rritje të prurjeve valutore gjatë muajve të ardhshëm, është e arsyeshme të mendohet që këto presione mund të forcohen më shumë.
Veçanërisht në dy vitet e fundit, rënia e Euros është frenuar nga blerjet e valutës në shuma të mëdha prej Bankës së Shqipërisë.
Sipas statistikave zyrtare, vitin e kaluar Banka Qendrore bleu 1 miliard e 27 milionë euro, për objektivit të rritjes së rezervës valutore, por në pjesën më të madhe në funksion të qëllimit për të frenuar forcimin e kursit të këmbimit të Lekut. Sasia e valutës së blerë është rritur me 10% krahasuar me një vit më parë.
Blerjet e valutës kanë vazhduar edhe përgjatë muajve të parë të këtij viti, duke parë tendencën në rënie të kursit të këmbimit Euro-Lek, por shifrat e blerjeve nuk janë bërë ende publike.
Për vitin 2026, Banka e Shqipërisë ka parashikuar të rrisë më tej blerjet e planifikuara të valutës në tregun e brendshëm. Ajo synon të blejë përmes ankandeve 330 – 450 milionë euro, me objektiv rritjen e rezervës valutore, pa llogaritur blerjet direkte, që do të varen nga ecuria e kursit të këmbimit.
Por, në kushtet kur inflacioni po i afrohet nivelit 3%, hapësirat e Bankës së Shqipërisë për të ndërhyrë në tregun valutor nëpërmjet blerjeve të Euros mund të ngushtohen ndjeshëm.
Një tërheqje, qoftë edhe e pjesshme e Bankës së Shqipërisë nga blerjet mund t’i hapë rrugë një rënieve me ritme më të shpejta të kursit të Euros, sidomos gjatë sezonit veror.
Nga ana tjetër, megjithatë, një rritje e çmimeve të mallrave të importuara, duke filluar nga karburantet, mund të ushtrojë një ndikim në kahun e kundërt, duke rritur kërkesën për valutë me qëllim financimin e importeve. Monitor