Prej 10 shkurtit në qeli, Erion Veliaj: Sot 2 muaj larg gruas, djalit të vogël dhe nënës!

Dy muaj pas arrestimit me urdhër të SPAK për korrupsion dhe pastrim parash, kryebashkiaku Erion Veliaj, ka reaguar përmes një postimi në rrjete sociale.

Veliaj thotë se dy muaj pas burgimit pa gjyq, ai tashmë ndodhet larg familjarëve të tij, por edhe fushatës dhe bashkisë Tiranë.

Veliaj në postimin e tij pretendon se ndaj tij nuk ka asnjë akuzë dhe se nuk ka korruptuar askënd. Po ashtu, Erion Veliaj thekson se i është ndaluar që të japë opinione mbi procesin e tij gjyqësor, që ai e quan “grotesk”.

Reagimi:

Të dashur miq,

Sot mbushen 2 muaj nga burgimi im pa gjyq – larg familjes, gruas, djalit të vogël dhe nënës. Por, edhe larg punës në bashki e fushatës, dy pasioneve të jetës sime.

Doja vetëm t’ju falenderoja për mirësinë e mbështetjen ndaj Kait dhe Ajolës, si dhe dy nënave tona – 3 gra pa burrat e tyre, por me kurajo e dinjitet falë jush që u jeni gjendur pranë!

Jam ende pa akuzë prej një anonimi që nuk ekziston. S’ka dalë askush që të kem korruptuar. Ende askush që të më ketë korruptuar. Kush më njeh e di që në çdo ditë të punës time kam ndihmuar këdo, kudo e kurdo me ndershmëri.

Ndaj, meqë më janë ndaluar opinionet mbi këtë proces grotesk, atyre që i janë gjendur familjes sime, iu them nga zemra “Faleminderit”!

Nuk do t’ua harroj kurrë!

Bekime dhe mall për ju të gjithë.