Ish-kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i është drejtuar zyrtarisht Gjykatës Kushtetuese me një kërkesë për shfuqizimin dhe pezullimin e dekretit të Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, i cili caktoi datën 9 Tetor 5 për mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme në disa bashki, përfshirë edhe Tiranën.
Në kërkesën e depozituar, Veliaj argumenton se dekreti i Begajt është në kundërshtim të hapur me Kushtetutën, pasi është nxjerrë në një kohë kur efekti i vendimit për shkarkimin e tij është pezulluar automatikisht nga neni 115 i Kushtetutës, si pasojë e ankimit të bërë prej tij në afat në Gjykatën Kushtetuese.
“Presidenti ka vepruar në mungesë kompetence, duke shpallur zgjedhje në një bashki ku ende nuk ka përfunduar procesi kushtetues për shqyrtimin e shkarkimit tim”, thekson Veliaj në kërkesë, duke shtuar se mandati i tij ende nuk ka përfunduar dhe për rrjedhojë, shpallja e vakancës është e paligjshme.
Sipas Veliajt, neni 115 i Kushtetutës parashikon qartë që nëse një kryetar bashkie kundërshton në Kushtetuese vendimin e shkarkimit brenda 15 ditëve, atëherë vendimi pezullohet automatikisht dhe Presidenti nuk mund të shpallë zgjedhje, përveçse në dy raste: kur afati 15-ditor kalon pa ankim ose kur Gjykata Kushtetuese e lë në fuqi shkarkimin.
“Presidenti ka shpallur zgjedhjet në Tiranë, edhe pse Kushtetuta ia ndalon këtë, për sa kohë Gjykata Kushtetuese nuk është shprehur ende për ligjshmërinë e shkarkimit tim”, thuhet në kërkesë.
Veliaj e cilëson dekretin si një ndërhyrje të paprecedentë në përfaqësimin demokratik dhe autonominë vendore, të mbrojtur nga Kushtetuta. Në kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese, Veliaj i kërkon pezullimin urgjent të efekteve juridike të dekretit presidencial, duke paralajmëruar pasoja të rënda dhe të pakthyeshme nëse zgjedhjet në Tiranë mbahen përpara vendimit përfundimtar të Kushtetueses.