Erion Veliaj kërkon lirimin nga burgu në Gjykatën Kushtetuese

Erion Veliaj nëpërmjet avokatëve të tij ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për lirimin nga burgu.

Avokatët e Veliajt arsyetojnë se masa e sigurisë “arrest me burg” është anti-kushtetuese, ndaj kërkojnë një masë më të lehtë sigurie.

Tashmë çështja është në Gjykatën Kushtetuese, e cila pak javë më parë i dha të drejtë Veliajt në ankimimin për shkarkimin si kryebashkiak i Tiranës.

Kushtetuesja vendosi ta rikthejë në detyrë, teksa pas këtij vendimi erdhi edhe reagimi i kryeministrit Rama, i cili tha se Gjykata Kushtetuese duhet të mbajë këtë qëndrim edhe kur Veliaj të kërkojë lirimin nga burgu, duke e rikthyer në krye të punëve të kryeqytetit.

 Erion Veliaj akuzohet për “Korrupsion pasiv”, kryer në bashkëpunim (9 herë) dhe “pastrim parash”, akuza që rëndojnë edhe ndaj bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa, e cila ka konsumuar edhe veprën penale: “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.

SPAK ka zbardhur skemën korruptive që kryebashkiaku kishte ngritur së bashku me bashkëshorten e tij që ka synuar dhe bërë të mundur në praktikë marrjen e përfitimeve të parregullta, të cilat burojnë nga fondet publike që administrohen nga Bashkia Tiranë përmes titullarit të saj, me qëllim pasurimin personal të kryebashkiakut dhe familjes së tij përmes veprimeve të kamufluara dhe të kundërligjshme.

Hetimet e SPAK kanë zbuluar se fondet publike që dalin nga institucioni i Bashkisë Tiranë, me nënshkrimin e Veliajt, kanë kaluar drejtpërsëdrejti tek bashkëshortja e tij dhe rrethi i saj familjar, përmes OJF-ve dhe personave juridikë të kontrolluar de jure dhe de  facto nga Ajola Xoxa.

SPAK thotë se bashkeshortja e Veliaj, Ajola Xoxa për katër vite ka bërë blerje online duke shpenzuar plot 860 mijë euro për bizhu dhe veshje. Këto shpenzime nuk janë deklaruar në asnjë nga Deklaratat Periodike të titullarit të Bashkisë së Tiranës dhe personave lidhur me të.

Ndërkohë biznesmenët Gentian Sula, Meriman Palushi, Fatmir Bektashi, Sokol Kryeziu dhe Shkëlqim Fusha, të cilët akuzohen nga SPAK për “Korrupsion aktiv” kanë dhënë përfitime të parregullta ndaj  Veliajt dhe Xoxës, duke përfituar fonde publike dhe leje ndërtimi në këmbim të shërbimeve të dyshimta dhe transaksioneve të fshehura.