Është arrestuar për herë të tretë ish-juristi i Kadastrës së Durrësit, Mikel Zaho, i akuzuar për shpërdorim detyre. Zaho ishte shpallur në kërkim që prej muajit prill të këtij viti, në lidhje me tjetërsimin e pronave në bregdet, ku në një operacion u arrestuan disa zyrtarë të Kadastrës në Durrës.
Bëhet fjalë për 448 mijë metra katrorë tokë pranë universitetit të Durrësit ‘Aleksandër Moisiu” në zonën e Spitallës, të cilat deri në vitin 2018 kanë qenë në pronësi të shtetit por më pas disa qytetarë me ndihmën e zyrtarëve të Kadastrës e kanë privatizuar me dokumente të falsifikuara.
“Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare ndaloi shtetasin në kërkim M. Z., 46 vjeç, banues në Durrës, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës””, njofton Policia.