Shqiptari Nardi Idrizi alias Fatbardh Idrizi, i shumëkërkuar në Greqi për plagosjen e tre personave në dhjetor 2023 në Gazi të Athinës, është vetëdorëzuar pranë autoriteteve greke.
Mediat greke shkruajnë se fillimisht është paraqitur në Komisariat avokati Spyros Dimitriou dhe më pas i shumëkërkuari shqiptar.
Ai është shprehur se pas ngjarjes ishte arratisur në Shqipëri dhe tashmë kishte vendosur të vetëdorëzohej.
Dy vëllezër nga Kreta, së bashku me shokun e tyre, kishin ardhur për disa orë në Athinë për të festuar festën e beqarisë së njërit prej tyre.
Teksa po ecnin në rrugë, ata debatuan me pasagjerët e një fuoristrade. Pak metra më poshtë mjeti ndaloi dhe prej tij zbriti shoferi bashkë me pasagjerin. Pasoi një përleshje dhe një nga personat që ndodhej në fuoristradë hapi zjarr duke plagosur në kokë tre të rinjtë.
Pas ngjarjes policia shpalli në kërkim autorin kryesor, Nardi Idrizi, ndërsa arrestoi shokun e tij Emiljano Jakupi, 35 vjec.