EMRI/ Përdhunoi dhe la shtatzënë 24 vjeçaren, arrestohet 63 vjeçari në Lushnjë

Një 63 vjeçar është arrestuar në Lushnjë pasi ka përdhunuar një 24 vjeçare. Rasti fillimisht është denoncuar në polici, e cila e ka referuar më pas në prokurori.

Pas veprimeve hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë, është ndaluar Luan Topi, 63 vjeç, pasi Gjykata e Fierit i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”. Ndaj tij rëndon vepra penale “Marrëdhënia seksuale me dhunë me të rritura”.

Rasti i rëndë u bë publik në një emision investigativ, teksa 24-vjeçarja me aftësi ndryshe, e abuzuar tashmë është 2 muajshe shtatzënë si pasojë e këtij raporti. Ajo tregoi se komshiu, Luan Topi, e gënjeu me molto duke e futur në furgonin e tij ku dhe e përdhunoi.

Njoftimi i policisë:

Lushnjë

Në vijim të njoftimit të dhënë më datë 10.05.2024, për referimin e materialeve në Prokurori, nga Komisariati i Policisë Lushnjë, për shtetasin L. T., 63 vjeç, pasi dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me një 24-vjeçare, bëjmë me dije se:

Pas veprimeve hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë, është ekzekutuar urdhri i prokurorit, për ndalimin e shtetasit L. T., 63 vjeç, banues në fshatin Barbullinjë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, me vendimin e datës 24.05.2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.

Materialet procedurale shtesë i kaluan Prokurorisë, për veprën penale “Marrëdhënia seksuale me dhunë me të rritura”.