EMRI/ Ndërtoi në zonë të mbrojtur, pranga pronarit të hotelit në Pogradec

Policia e Pogradecit ka vënë në pranga Jetmir Muçllarin, pronar i hotelit “Driloni”, pas një përplasjeje fizike të ndodhur një ditë më parë me kryeplakun e fshatit Tushemisht, Ilirjan Tasellari, dhe një tjetër shtetas.

Përleshja fizike ka nisur për shkak të pretendimeve mbi pronësinë e një segmenti rrugor, për të cilin Muçllari pretendonte se i përkiste atij.

Pas incidentit, strukturat e policisë kanë nisur menjëherë hetimet dhe kanë konstatuar se Muçllari kishte kryer ndërtime pa leje në një sipërfaqe toke që rezulton të jetë pjesë e një zone të mbrojtur. Pavarësisht pretendimeve të tij për pronësinë, autoritetet kanë verifikuar se ndërtimet janë bërë në kundërshtim me ligjin.

Ndaj Jetmir Muçllarit janë ngritur akuzat për veprat penale të “shpërdorimit të tokës” dhe “ndërtimit të paligjshëm për qëllime përfitimi”.

Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit (IMT) në Pogradec kishte pezulluar zyrtarisht punimet në këtë zonë një javë më parë. Tashmë çështja i kaluar tashmë Prokurorisë për vijimin e hetimeve të mëtejshme.