Një 28 vjeçar nga Shkodra është arrestuar në Allias me dy armë zjarri, të cilat dyshohet se do t’ua shiste personave që kryejnë krime kundër jetës dhe pronës.
Gjatë operacionit të koduar “Black market” u arrestua i riu Aleksander Matoja, i cili është me precedent të mëparshëm penal.
28 vjeçari është pjesë e një grupi kriminal në qytetin e Shkodrës.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Black market”. Sekuestrohen 2 pistoleta.
Arrestohet në Allias, një 28-vjeçar, banues në Shkodër, që dyshohet se do t’ua shiste armët e zjarrit, shtetasve që kryejnë krime kundër jetës dhe pronës.
I arrestuari, shtetas me precedent penal, si pjesëtar i një grupi kriminal në Shkodër.
Në vijim të kontrolleve dhe punës intensive operative të Policisë së Tiranës, me fokus kapjen e shtetasve që lëvizin të armatosur dhe për pasojë, janë rrezik potencial për rendin dhe sigurinë e qytetarëve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 finalizuan operacionin “Black market”.
Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi A. M., 28 vjeç, banues në Shkodër, me precedent për prodhim/shitje narkotikësh, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Nga kontrolli në automjetin me të cilin ai lëvizte në Allias, u gjetën 2 armë zjarri pistoleta, të cilat dyshohet se do t’ua shiste shtetasve që kryejnë krime kundër jetës dhe pronës.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.