EMRI/ I vendosi flakën shtëpisë së konkurrentit në biznes, pranga 33-vjeçarit në Vlorë

Një 33-vjeçar ka rënë në prangat e policisë në Vlorë, pasi dyshohet se i vuri flakën apartamentit të një familjeje me të cilën kishte konkurrencë në biznesin e qiradhënies së apartamenteve.

Sipas Policisë, ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të 4 gushtit në lagjen “Lef Sallata.

Në momentin e incidentit brenda banesës ndodheshin vëlla e motër, të cilët arritën të shpëtonin pa lëndime, por flakët shkaktuan dëme të mëdha materiale.

33-vjeçari Barend Hoxhaj akuzohet për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, ndërsa materialet i kanë kaluar Prokurorisë së Vlorës për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i policisë:

Vlorë

Zbardhen brenda 48 orëve, autorësia dhe rrethanat e djegies së një apartamenti në lagjen “Lef Sallata”, ngjarje e cila fillimisht u dyshua aksidentale.

I vuri zjarrin apartamentit në orët e para të mëngjesit, ku ndodheshin 2 shtetas (vëlla e motër), për motive konkurrence, identifikohet dhe arrestohet 33-vjeçari. Si pasojë e flakëve pati vetëm dëme materiale të konsiderueshme në banesë.

Menjëherë pas njoftimit, rreth orës 02:40 të datës 04.08.2026, se po digjej një apartament në lagjen “Lef Sallata”, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë shkuan në vendngjarje, ku në drejtimin e Prokurorisë, kryen veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale për sqarimin dhe dokumentimin e autorësisë dhe rrethanave të rastit. Si rezultat, 48 orë pas kryerjes së krimit, u mundësuan identifikimi, kapja dhe vënia në pranga e autorit të dyshuar, shtetasit B. H., 33 vjeç.

Paraprakisht dyshohet se 33-vjeçari, në orët e para të mëngjesit, i ka vënë zjarrin derës së apartamentit, për motive konkurrence me pronarët, duke qenë se ushtronin veprimtari ekonomike të njëjtë, atë të qiradhënies së apartamenteve në Vlorë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.