Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka kritikuar qeverinë se po rekruton punëtorë të huaj nga vende të varfëra, ndërsa të rinjtë shqiptarë vijojnë protestën për paga më të larta dhe kushte më të mira jetese.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Shehaj solli rastin e Minës, një punëtore nga India që ka ardhur për të punuar në Shqipëri, duke theksuar se problemi nuk janë qytetarët e huaj që vijnë për të punuar, por politika e ndjekur nga qeveria.
“Mina është nga India. Më kujton veten, sepse edhe unë, si ajo, kam studiuar dhe punuar në një vend të huaj. Problemi nuk është Mina dhe as njerëzit që vijnë këtu për të punuar”, shprehet Shehaj.
Sipas kreut të Mundësia, ndërsa të rinjtë shqiptarë protestojnë prej 68 ditësh për paga dhe kushte më të mira, qeveria nuk u përgjigjet kërkesave të tyre, por kërkon të sjellë fuqi punëtore nga jashtë.
“Ndërkohë që të rinj dhe të reja protestojnë në bulevard për një jetë më të mirë në Shqipëri, për rroga më të larta dhe për kushte më të mira, qeveria nuk i dëgjon dhe nuk ka një plan për të zgjidhur problemet e tyre, por dërgon ministren e Ekonomisë të gjejë punëtorë të huaj”, deklaron Shehaj.
Ai akuzon qeverinë se, në vend që të krijojë kushte që shqiptarët të qëndrojnë dhe të ndërtojnë të ardhmen e tyre në vend, po ndjek një politikë që u dërgon të rinjve mesazhin se, nëse nuk pranojnë kushtet aktuale të punës, mund të zëvendësohen me punëtorë nga vende të tjera.
“Të rinjtë tanë nuk po kërkojnë luks. Duan kushte që me punë të ndershme të jetojnë në mënyrë dinjitoze në Shqipëri. Duan të kenë mundësi, të drejtat e tyre të njihen dhe të respektohen dhe qeveria të mos e përdorë Shqipërinë sikur ta ketë pronë private”, shprehet kreu i Mundësia.
Shehaj thekson se, ndryshe nga vitet e mëparshme kur shumë të rinj zgjidhnin emigrimin, këtë herë ata kanë vendosur të qëndrojnë dhe të protestojnë për ndryshimin e kushteve në vend.
“Por nuk e kanë kuptuar se ka ndryshuar gjithçka. Ata nuk janë më të gatshëm të largohen. Janë aty për të protestuar dhe nuk ikin, sepse Shqipëria u takon atyre”, deklaron Shehaj.
Në përfundim, kreu i Mundësia përsëriti mesazhin se beteja duhet të jetë për një Shqipëri ku të rinjtë mund të punojnë dhe të jetojnë me dinjitet.
“Shqipëria është e shqiptarëve dhe duhet ta gëzojnë shqiptarët, jo politikanët e korruptuar”, përfundon Shehaj.