EMRI/ Ekzekutohet 30-vjeçari shqiptar në Itali, autor bashkëkombasi i tij

Një shqiptar është ekzekutuar mbrëmjen e djeshme në Arezzo të Italisë. Sipas mediave të vendit fqinj, viktima është identifikuar si 30 vjeçari Gjergj Pergegaj, ndërsa autori raportohet se është shqiptar. Emri i këtij të fundit nuk dihet ende.

Krimi i rëndë ndodhi pak para mesnatës, pranë një bari dhe një restoranti, pas një konflikti që dyshohet se kishte nisur brenda lokalit.

Viktima u qëllua disa herë me armë zjarri dhe për pasojë humbi jetën nga plagët e marrë. Ndërkohë autori u largua menjëherë pas ngjarjes, por autoritetet italiane e arrestuan pak më vonë, pranë banesës së tij.

Motivi i vrasjes dyshohet për shkak të një romance.

Siç shkruajnë mediat italiane, viktima, në fund të turnit të tij të punës, ishte ndalur për të folur me ish-të dashurën, një grua të re me origjinë rumune. Në atë moment, partneri aktual i gruas mbërriti dhe, duke i parë së bashku, humbi kontrollin: nxori një armë dhe hapi zjarr, duke qëlluar disa herë ndaj Përgegajt, duke e lënë të vdekur.