EMRI/ Breshëri kallashnikovi në Sukth, ndërron jetë 38 vjeçari, krimi dyshohet për hakmarrje

Një ngjarje e rëndë ndodhi mbrëmjen e djeshme në Sukth të Durrësit, ku një 38 vjeçar u qëllua me breshëri kallashnikovi dhe humbi jetën rrugës për në spital.

Viktima është Fatjon Dervishi, i cili po udhëtonte me makinë së bashku me një mikun e tij, kur persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar në drejtim të tij. Ngjarja ndodhi te shinat e trenit në Katund të Sukthit.

Sipas dëshmisë së mikut të tij, ata kishin qenë në një lokal dhe po ktheheshin në shtëpi. kur janë goditur. “Ishim në një lokal dhe po ktheheshim në shtëpi kur na qëlluan”, ka deklaruar në polici shoku i viktimës.

Fatjon Dervishi ishte një person pa precedent penal, por vrasja dyshohet të jetë bërë për hakmarrje, pasi vëllai i tij ka vrarë një person nga Lezha pak vite më pare, ngjarje që ka ndodhur jashtë Shqipërisë.

Policia ka ngritur pika kontrolli në të gjitha akset dhe po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Njoftimi i Policisë:

Në Katund, Sukth, tek shinat e trenit, nga persona ende të paidentifikuar është qëlluar me armë zjarri shtetasi F.D, 38 vjeç, i cili u transportua menjëherë në spital për ndihmë mjeksore, por si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë në spital.

Shërbimet e Policisë me marrjen e njoftimit kanë shkuar menjëherë në vendngjarje.

Në ndihmë të Policisë vendore janë nisur dy grupe të Fnsh-së Tiranë.

Grupi hetimor ka shkuar në vendngjarje dhe në bashkëpunim me Prokurorin vijon veprimet për zbardhjen dhe dokumentimin e rrethanave të ngjarjes, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.

Ndërkohë shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli dhe vijon krehja e zonës.