Policia italiane ka vënë në pranga një 24 vjeçar shqiptar, pasi në makinën e tij kishte fshehur 12 kilogramë kokainë, që kapte vlerën e 1.2 milion eurove.
Mediat e vendit fqinj bëjnë me dije se në pranga ra i riu, Zyber Tafa, i cili ishte mbajtur prej kohësh nën monitorim, pasi disponoheshin informacione për aktivitet të dyshimtë në zonën e Bolonjës, si pjesë e një organizate të dedikuar për trafikun ndërkombëtar të drogës.
Ka qenë një postbllok gjoja i rastësishëm i ngritur në rrugë, që çoi në pranga të riun shqiptar.
Tafa po udhëtonte me një kamionçinë “Ford Focus”, parakolpi i të cilit ishte çmontuar dhe më pas restauruar për të fshehur drogën, e paketuar në dy mbështjellës celofani, me një total 11,8 kg lëndë narkotike.
24-vjeçarit iu sekuestruan 6 celularë, tre në makinë dhe po kaq në shtëpinë e tij në Brescia, si dhe rreth një mijë euro para cash. Në banesë, e fshehur në një çarje në tavan, u gjet edhe një fletë letre me kontaktet dhe llogaritë e pretenduara, shkruan “QuiBrescia”.
I riu Tafa u arrestua dhe u dërgua në burg në Brescia, duke pritur që Prokuroria e Bolonjës ta marrë përsipër çështjen.