Një person është arrestuar nga policia e Vlorës dhe dy të tjerë janë shpallur në kërkim.
Ata akuzohen si autorë të vjedhjes së tre banesave dhe një makinë në fshatin Fitore, Novoselë. Policia ka zbardhur identitetin e të rinjve.
I arrestuar është Emanuel Brahimi 31 vjeç, kurse dy të tjerët Gentian Silaj 28 vjeç dhe Masimiljano Zenunaj, 30 vjeç janë shpallur në kërkim.
Njoftimi i policisë:
Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, në orët e para të mëngjesit të datës 17.03.2025, kanë vjedhur në dy banesa të shtetasve që aktualisht jetojnë jashtë vendit, si dhe në banesën e një shtetasi tjetër, nga ku kanë marrë edhe një automjet të markës “Land Rover”, i cili është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe për dokumentimin e rasteve të tjera ku këta shtetas dyshohen se janë autorë, thuhet më tej në njoftim. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Vlorë, për veprime të mëtejshme hetimore.