EMRAT/ Ripërsëritet historia në Shënavlash të Durrësit, djali vret babanë dhe trupin ia hedh në pus, në polici e raportoi të zhdukur

Një krim i rëndë brenda familjes ka ndodhur në Durrës, ku djali ka vrarë babanë dhe trupin më pas ia ka hedhur në një pus. Mësohet se Esmerald Balla pasi i ka marrë jetën, e ka hedhur kufomën e të atit Enver Balla në pus. 

Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur që në fillim të muajit gusht, ndërkohë që djali me datën 13 gusht e ka denoncuar në polici humbjen e babait 62 vjeçar, për të vijuar me planin për fshehjen e krimit.

Në Komisariatin e Policisë Durrës ka kallëzuar shtetasi E. B., banues në fshatin Shënavlash, se më datë 13.08.2024, është larguar nga banesa, babai i tij, shtetasi E. B., 62 vjeç. Vijon puna për gjetjen e 62-vjeçarit”- njoftoi policia në orët e paradites.

Ende nuk dihen rrethanat e ngjarjes së rëndë ndërsa policia po punon për zbardhjen e krimit.

Kujtojmë se më 23 Shkurt të këtij viti, po në të njëjtin fshat u gjet i vrarë e i groposur 50-vjeçari Pëllumb Meta. Të arrestuar për ngjarjen e rëndë ishin 3 fëmijët e tij, vajza dhe dy djemtë.