EMRAT/ Përfundon mbledhja e Grupit të PS-së, Rama vendos cilët deputetë do drejtojnë Komisionet Parlamentare

Ka përfunduar mbledhja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, që në fokus të diskutimeve kishte strukturën e re të Komisioneve Parlamentare.

Në këtë mbledhje të drejtuar nga Taulant Balla, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri Rama, ky i fundit ka caktuar edhe drejtuesit e këtyre Komisioneve që drejtohen nga socialistët.

Siç e kishte paralajmëruar në Asamblenë Kombëtare, në krye të Komisionit të Ligjeve është vendosur Ulsi Manja, i cili do të largohet si Ministër i Drejtësisë, për t’u zëvendësuar nga Besfort Lamallari.

Në krye të Komisionit për  Evropën dhe Punët e Jashtme është Igli Hasani. Edhe ky i fundit do të lërë detyrën si Ministër i Jashtëm, pasi në krye të Diplomacisë shqiptare do të emërohet Elisa Spiropali.

Blendi Klosi do të drejtojë Komisionin për  Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural, ndërsa Milva Ekonomi Komisionin për Ekonominë, Punësimin dhe Financat. Në krye të Komisionit të Sigurisë do të vendoset Bledi Çuçi, ndërkohë që Anila Denaj do të marrë drejtimin e Komisionit për  Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm.

Damian Gjiknuri do të jetë përgjegjës për Komsionin për Reformën Zgjedhore, ndërsa Komisioni për  Nismat qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen institucionale do të ketë drejtues Fatmir Xhafajn.