Kush janë 3 këshilltarët socialistë që nuk ‘tradhëtuan’ Veliajn, mungojnë në mbledhjen e Këshillit Bashkiak

Këshilli Bashkiak i Tiranës ka nisur mbledhjen, për të diskutuar për shkarkimin e Erion Veliajt. Në mbledhje mungojnë 3 anëtarë të këshillit bashkiak, Aldo Merkoci, Gazmend Paja dhe Joleza Koka. Po ashtu mungon edhe kryetarja e komanduar, Anuela Ristani.

Në nisje të mbledhjes, kryetarja e Këshillit Bashkiak, Megi Fino, tha se vendimi për shkarkimin e Veliajt është i imponuar nga nevoja e situatës së krijuar pas arrestimit të kryebashkiakut.

“Dua të nënvizoj me forcë që ky hap po imponohet nga nevoja urgjente për të ecur. Sot ne po kryejmë detyrimin politik dhe moral për të zgjidhur ngërçin politik të Tiranës. Ne sot kemi vetëm një pikë në rendin e ditës, projekt-vendimim për shkarkimin kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj”, theksoi Fino.

Komisioni i Çështjeve Ligjore i Këshillit Bashkiak të Tiranës, më herët gjatë ditës së sotme e refuzoi kërkesën e Erion Veliajt që të dëgjohej.

Veliaj kërkoi të ishte i pranishëm në mbledhje për të dhënë shpjegimet e tij ndërsa përmes një shkrese shprehej se nuk i dinte ende arsyet e shkarkimit të tij. Madje ishte njoftuar përmes mediave lidhur me mbledhjen e sotme.