7 vila janë konfiskuar në Tiranë me kërkesë të Prokurorisë ndërsa 9 persona janë shpallur fajtorë për 2 vepra penale: ndërtim i paligjshëm dhe falsifikim i dokumenteve,
Bëhet fjalë për shtetasit: Armand Prelezi, Klevis Bregu, Manush Teqja, Florian Zela, Abaz Teqja, Mehmet Durishti, Tefta Visha, Dorina Dushku dhe Arblin Harizi.
Nga hetimet, thotë Prokuroria, u zbulua se “në zonën e Mulletit, në ekonominë pyjore 1/a dhe 2/a, janë ndërtuar 7 objekte (vila), formalisht të pajisura me leje rindërtimi, por që rezultoi se dokumentacioni tekniko ligjor i përdorur pasqyronte të dhëna të rreme, si dhe duke cenuar fondin pyjor, në juridiksion të Bashkisë Tiranë”.
Sipas Prokurorisë, u vendos dënimi i të pandehurve dhe konfiskimi i 7 vilave të ndërtuara pa leje në ekonomi pyjore nëpërmjet dokumeteve të falsifikuara.
Njoftimi:
Me kërkesë të Prokurorisë Tiranë, konfiskohen shtatë vila dhe shpallen fajtorë për ‘Ndërtim të paligjshëm’ dhe ‘Falsifikim të dokumenteve’, 9 persona
Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të përgjithshëm, Tiranë u shpallën fajtorë nëntë persona për veprën penale ‘Ndërtim i paligjshëm’ dhe ‘Falsifikim i dokumenteve’ parashikuar nga nenet 199/a dhe 186/3 të Kodit Penal.
Në kuadër të procedimit penal nr.1285 të vitit 2023, nga ana e organit të prokurorisë u kryer hetime intensive, si marja në pyetje e personave, kqyrje dhe sekuestrime pranë institucioneve si dhe kryerje e ekspertimeve teknike, dhe në përfundim u konkludua se janë konsumuar elemetet e veprave penale të parashikuara nga nenet 199/a/3, 186/2, 186/3 në bashkëpunim dhe 300 të Kodit Penal, pasi në zonën e Mulletit, në ekonominë pyjore 1/a dhe 2/a, janë ndërtuar 7 objekte (vila), formalisht të pajisura me leje rindërtimi, por që rezultoi se dokumetacioni tekniko ligjor i përdorur pasqyronte të dhëna të rrëme, si dhe duke cenuar fondin pyjor, në juridiksion të Bashkisë Tiranë.
Në këto kushte, nga ana e prokurorisë u çmua, se ka prova për të proceduar me marjen si të pandehur dhe shpalljen fajtorë, për veprat penale shtetasit si më poshtë:
1. A.P., akitekt, akuzuar për veprën penale “Falsifikim i dokumentave”;
2. K.B., arkitekt, akuzuar për veprën penale “Falsifikim i dokumentave”;
3. M. T., akuzuar për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm” dhe “Falsifikim i dokumentave”;
4. F.Z., i akuzuar për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm” dhe “Falsifikim i dokumentave”;
5. A.T., akuzuar për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm” dhe “Falsifikim i dokumentave”;
6. M. D., akuzuar për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm” dhe “Falsifikim i dokumentave”;
7. T.V., akuzuar për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm” dhe “Falsifikim i dokumentave”;
8. D.D., akuzuar për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm”; dhe
9. A.H, akuzuar për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm” dhe “Falsifikim i dokumentave”
Në përfundim të gjykimit, u vendos dënimi i të pandehurve dhe konfiskimi i 7 vilave të ndërtuara pa leje në ekonomi pyjore nëpërmjet dokumeteve të falsfikuara.
Hetimet vijojnë në drejtim të veprimeve dhe mosverimeve të enteve publike si dhe bashkpunëtorëve të mundshëm, për veprat penale të “Falsifikimi i dokumentave” dhe “Shpërdorimi i detyres” parashikuar nga nenet 186/3 dhe 248 të Kodit Penal.