EMRAT/ Goditet grupi kriminal që trafikonte drogë drejt Greqisë, arrestohen 2 persona, në kërkim shefi i tyre

Policia e Fierit ka përfunduar me sukese operacionin antidrogë të koduar “Vakumi” në kuadër të të cilit, si rezultat i një pune intensive hetimore dhe operacionale, u bë i mundur goditja e një grupi kriminal që siguronte sasi të konsiderueshme të lëndëve narkotike cannabis sativa dhe droga te forta me qëllim trafikimin drejt Greqisë.

Gjatë këtij operacioni, shërbimet e Policisë bazuar në informacionet e siguruara gjatë procedimit, kanë ushtruar kontroll në ambientet e banesës së shtetasit Eduart Mehmetaj dhe në automjetin e dyshuar që mund te behej transporti i lëndës narkotike.

Nga kontrolli rezultoi se në dyshemenë (në hapësirën e përgatitur më parë në këtë automjet), u gjetën rreth 30 kilogramë lëndë narkotike cannabis sativa dhe gjysmë kilogramë lëndë narkotike kokainë. Lënda narkotike kanabis ishte e ndarë në pako të vogla, të presuara, me qëllim trafikimin drejt Greqisë.

Në vijim, u ushtruan kontrolle në brendësi të banesës së shtetasit Eduart Mehmetaj, ku u gjetën 3 peshore elektronike, një sasi e konsiderueshme ambalazhesh për paketim, doreza plastike, makineri presimi dhe mjete të tjera që përdoreshin për përpunimin dhe paketimin e lëndës narkotike.

Ndërkohë, u arrestuan si bashkëpunëtorë Panajot Shahaj, 43 vjeç dhe Osmen Mehmetaj, 71 vjeç, te dy banues ne fshatin Cakran, bashkia Fier, te dyshuar per veprat penale “Prodhimi dhe Shitja e narkotikeve”, dhe “Mbajtja, prodhimi dhe transportimi I substancave kimike, ndërsa është shpallur në kërkim Eduart Mehmetaj, 41 vjec, si organizator i kësaj veprimtarie kriminale si dhe vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë bashkepunetore ne kete aktivitet kriminal.