EMRAT/ Cilët janë 14 kandidatët për Drejtorin e ri të Policisë së Shtetit

Ka përfunduar sot afati për aplikim për garën për Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, pas largimit nga detyra të Ilir Prodës.

Në total janë paraqitur 14 kandidatura për të marrë drejtimin e institucionit më të lartë të policisë në vend. Mes tyre ka drejtues aktualë të policisë në disa qarqe, por edhe funksionarë të tjerë të strukturave të rendit.

Këta janë 14 kandidatët që kanë aplikuar për postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit:

  • Pëllumb Seferi
  • Elidon Çela
  • Alfred Çepe
  • Rebani Jaupi
  • Saimir Boshnjaku
  • Lorenc Panganika
  • Afrim Tafa
  • Neritan Nallbati
  • Idejet Faskaj
  • Gentian Berberi
  • Tonin Vocaj
  • Skënder Hitaj
  • Arjanit Arapi
  • Gentjan Shehaj

Brenda 10 ditëve, një Komision i Posaçëm do të kryejë vlerësimin paraprak për verifikimin e kushteve ligjore që duhet të plotësojnë kandidatët.

Komisioni përbëhet nga tre anëtarë: një zëvendësministër i Brendshëm në rolin e kryetarit, sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme dhe drejtuesi i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.

Më pas do të vijojë faza e intervistimit, ku secili kandidat do të ketë 20 minuta në dispozicion për të paraqitur platformën dhe vizionin e tij për drejtimin e Policisë së Shtetit. Pas përfundimit të intervistave, komisioni ka afat 48 orë për të shpallur rezultatet dhe pikëzimin.

Sipas ligjit, ministri i Brendshëm i propozon Këshillit të Ministrave një nga kandidatët e vlerësuar si më të përshtatshëm për detyrën, ndërsa vendimi final për emërimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit merret nga qeveria.