Emiratet e Bashkuara Arabe largohen nga OPEC, goditje për tregun global të naftës

Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) kanë njoftuar se do të tërhiqen nga OPEC, duke i dhënë një goditje të fortë kartelit të prodhuesve të naftës, në një moment kur kriza energjetike globale dhe tensionet e shkaktuara nga lufta me Iranin po thellojnë përçarjet mes vendeve të Gjirit.

Dalja e EBA-së, një nga prodhuesit më të mëdhenj të grupit, pritet të dobësojë kontrollin e OPEC mbi furnizimet globale të naftës dhe të zgjerojë hendekun me Arabinë Saudite, liderin de facto të organizatës.

Sipas autoriteteve, vendimi do të hyjë në fuqi më 1 maj dhe mund t’i japë mundësi EBA-së të rrisë prodhimin, pasi nuk do të jetë më e kufizuar nga kuotat e OPEC. Ministri i Energjisë, Suhail Mohamed al-Mazrouei, deklaroi se ky është një vendim politik i marrë pas një analize të kujdesshme të strategjive aktuale dhe të ardhshme energjetike.

“Ky është një vendim i bazuar në politikat tona të prodhimit, pas një vlerësimi të kujdesshëm të situatës aktuale dhe perspektivës së ardhshme,” u shpreh ai.

Pas njoftimit, çmimet e naftës në tregjet ndërkombëtare shënuan një rënie të lehtë. Megjithatë, ministri Mazrouei theksoi se ndikimi i menjëhershëm do të jetë i kufizuar për shkak të problemeve në Ngushticën e Hormuzit, një pikë kyçe ku kalon rreth një e pesta e naftës dhe gazit natyror të lëngshëm në botë.

Transporti i naftës nga vendet e Gjirit është vështirësuar për shkak të kërcënimeve dhe sulmeve iraniane ndaj anijeve, duke bllokuar pjesërisht furnizimet. Si rezultat, sipas International Energy Agency, pjesa e prodhimit global të OPEC+ ka rënë nga rreth 48% në shkurt në 44% në mars dhe pritet të ulet më tej.

Largimi i EBA-së shihet si një zhvillim pozitiv për presidentin amerikan Donald Trump, i cili prej kohësh ka kritikuar OPEC për rritjen e çmimeve të naftës. Ai ka argumentuar se ndërsa SHBA mbron vendet e Gjirit, ato përfitojnë duke mbajtur çmime të larta.

Analistët vlerësojnë se ky vendim mund të jetë pozitiv edhe për konsumatorët, pasi hap rrugën për rritjen e prodhimit global. Sipas ekspertes Monica Malik, kjo mund t’i japë EBA-së mundësi të rrisë pjesën e saj në treg kur situata gjeopolitike të stabilizohet.

Ndërkohë, analisti Jorge Leon thekson se EBA është një nga të paktat vende, përveç Arabisë Saudite, me kapacitet rezervë për të rritur prodhimin, çka mund të sfidojë rolin e Riadit si stabilizues kryesor i tregut.

Vendimi vjen në një kohë kur marrëdhëniet mes Abu Dhabit dhe Riadit janë përkeqësuar, me përplasje mbi politikat energjetike, gjeopolitikën rajonale dhe konkurrencën për investime dhe kapital.

EBA, një qendër e rëndësishme financiare dhe aleat kyç i SHBA-së, ka ndjekur një politikë të jashtme më të pavarur dhe ka forcuar lidhjet me SHBA-në dhe Izraelin, sidomos pas marrëveshjeve të vitit 2020, Abraham Accords.

Në të njëjtën kohë, liderët e vendeve të Gjirit janë mbledhur në Arabinë Saudite për të koordinuar një përgjigje ndaj sulmeve me raketa dhe dronë nga Irani, në kuadër të konfliktit të përshkallëzuar që prej fundit të shkurtit.