Emigracioni i pandalshëm, një sfidë për të ardhmen e vendit

Shqipëria nuk shihet një vend i sigurt për të ndërtuar të ardhmen, ndaj njerëzit zgjedhin rrugën e vështirë të emigrimit. Kryesisht janë të rinjtë ata që tentojnë vazhdimisht të largohen drejt Europës.

Teksa ecën nëpër rrugët e kryeqytetit, sytë të hasin njoftime: kërkojmë punëtorë, paga e kënaqshme! Shqipërisë i ka emigruar një pjesë e mirë e fuqisë punëtore dhe trendi i largimit  duket se nuk do të ndalet.

Një studim i fundit i Institutit të Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare lajmëron se emigracioni në Shqipëri dhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor do të vijojë të jetë i fortë edhe në vitet në vijim.

Studimi që analizon trendet e emigrimit tregon një dëshirë më të lartë për të emigruar tek të rinjtë dhe te personat e shkolluar. Kjo do të ndodhë për dy arsye kryesore. E para janë faktorët shtytës në Shqipëri dhe Rajon që përfaqësojnë papunësinë e lartë te të rinjtë, pagat e ulëta dhe mungesën e mundësive për rritje në karrierë dhe në zhvillim njerëzor.

Të dhënat tregojnë se Gjermania është destinacioni kryesor për emigrantët nga Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor. Rreth 40% e individëve të anketuar që shprehin dëshirën për të emigruar zgjedhin këtë vend si opsionin e tyre kryesor.

Shqipëria vazhdon të përballet me ikjet masive të popullsisë së saj drejt vendeve më të zhvilluara. Bashkë me Moldavinë, ajo qëndron ndër vendet me nivelin më të lartë të emigracionit në raport me popullsinë. Të dhënat vijnë nga Organizata Ndërkombëtare për Emigracionin, në raportin global për vitin 2024.

“Vende të tilla si Shqipëria dhe Republika e Moldavisë janë disa nga më të goditurat; rreth 40% e fuqisë punëtore të Shqipërisë, për shembull, vlerësohet të jetë duke punuar jashtë vendit, duke kontribuar në ikjen e trurit, duke ushtruar presion mbi industritë dhe ekonomitë vendase që vazhdimisht humbasin punëtorë si në sektorët me kualifikim të ulët, ashtu edhe në atë të lartë”, vuri në dukje IOM.

Pra shqiptarët do të vazhdojnë të largohen nga vendi në kërkim të një jete më të mirë. Dhe

Pak javë më parë kryeministri Edi Rama foli për çështjen e largimit të shqiptarëve jashtë vendit, ndërsa u shpreh se ky është një fenomen historik që nuk e ka zanafillën me qeverisjen e Partisë Socialiste.

Duke iu përgjigjur komentuesve në rrjetet sociale, Rama u shpreh se kushdo që thotë se mund ta ndalë këtë proces, gënjen, ose nuk di se çfarë thotë.